Kufiri i Baroneshës
_426178.jpg)
Iu deshën plot dhjetë muaj që ta vënë në praktikë atë që e kishin në letër.
Kosova dhe Serbia të hënën filluan implementimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e njohur si IBM, në pikat kufitare në Jarinjë dhe Merdar.
Akt ky që u mirëprit si nga autoritetet vendase ashtu edhe ndërkombëtare.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, madje tha se me zbatimin e IBM’së kufijtë në mes të Kosovës dhe Serbisë u njohën ‘de jure’.
“Sot është lajm i mirë për Kosovën dhe gjithë rajonin, sepse ka filluar të zbatohet edhe në praktikë IBM, që është definitivisht fakt ‘de jure’ e pamjes së kufirit të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Është një standard që është në përkushtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, edhe në dy pikat e tjera doganore do të fillojë me datën 31”, tha Thaçi.
Fillimin e implementimit të IBM’së e ka mirëpritur edhe lehtësuesja e bisedimeve politike mes Kosovë-Serbi, Shefja për politikë të jashtme në BE, Catherine Ashton. Para fillimit të takimit me ministrat e jashtëm të BE’së, Ashton foli për dy vendkalime në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilat u shfaq e kënaqur.
“Jam shumë e kënaqur që ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kemi dy vendkalime që menaxhohen në mënyrë të përbashkët, që janë hapur sot në mëngjes ashtu siç ishte planifikuar, dhe do t’i njoftoj ministrat e jashtëm të BE’së për dialogun”, tha Ashton.
E, diplomatët europianë kanë shprehur mbështetjen e tyre për integrimin e Ballkanit në BE, derisa kanë folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryediplomati gjerman, Guido Westerwelle, ka përgëzuar palët për IBM’në duke e quajtur implementimin e tij një përparim të shkëlqyer në kuadër të dialogut.
“Ne vetëm mund të inkurajojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe të gjitha palët që të qëndrojnë në këtë rrugë. Mendojmë se është absolutisht e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se nga perspektiva e Bashkimit Europian, integriteti territorial është pa dyshim suprem”, u shpreh Westerwelle.
Mendim të njëjtë pati edhe diplomati polak, Radek Sikorski, i cili tha se integrimi në BE nuk është i kompletuar pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit.
“...nëse këto vende na bindin se janë të afta për bashkëpunim me njëri-tjetrin, se i zgjidhin dallimet mes vete dhe se i përmbushin të gjitha kriteret, siç kanë bërë dhe të tjerët”, ka thënë Sikorski.
Mirëpo, Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, tha se duhet monitoruar edhe në praktikë zbatimi i marrëveshjeve.
“Takimet po përparojnë më mirë se ç’është pritur. Jam i inkurajuar mjaft, por duhet të shohim zbatimin në terren”, tha ai.
Për së afërmi zbatimin e marrëveshjes të hënën në mëngjes e kanë monitoruar edhe përfaqësues të autoriteteve kosovare si dhe atyre serbe.
Në Merdar është parë Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi si dhe Drejtori i Policisë së Kosovësm, Shpend Maxhuni, së bashku me drejtuesit e Doganës së Kosovës.
Shefi i Degës Doganore në Merdar, Shkëlzen Osmani, tha se gjatë zbatimit nuk ka pasur asnjë problem.
Ai bëri të ditur se doganierët serbë që nga e diela janë vendosur në objektet të cilat i kanë ndërtuar autoritete kosovare.
“Gjithsesi, zbatimi i marrëveshjes së IBM’së ka nisur dhe punët në vendkalimin kufitar janë duke shkuar mirë. Deri më tash nuk ka automjete të rënda, por ato të voglat janë duke qarkulluar”, tha Osmani.
Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, ndërkaq ka njoftuar për media se probleme nuk ka pasur as në vendkalimin kufitar Jarinjë.
“Që në mëngjes oficerët tanë janë vendosur në vendkalimin kufitare Jarinjë dhe ka filluar funksionimi”, ka deklaruar Stavileci.
Nga ana tjetër, edhe shefi i ekipit negociator të Serbisë në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Pavicevic, ka qartësuar se procedurat për vendkalimet mbeten të njëjta me ato të mëhershmet.
“Këtu janë pjesëtarët e EULEX’it dhe pjesëtarët e policisë sonë. Nuk ka kurrfarë simbolesh dhe shënimesh. Procedurat mbeten njëjtë siç kanë qenë...qytetarët edhe sikur deri më tash do të kenë nevojë për letërnjoftim. Asgjë nuk ndryshon sa i përket regjimit”, ka thënë Pavicevic.
Fillimin e zbatimit të IBM’së e kanë mirëpritur edhe zyrtarët e misionit europian për sundim të ligjit në Kosovë.
Sipas zëdhënëses së EULEX’it, Irina Gudelevic, më e rëndësishmja është se menaxhimi i integruar po bëhet për mirëqenien e qytetarëve.
IBM është një nga shtatë marrëveshjet e arritura në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë. Është nënshkruar në shkurt të këtij viti, ndërkohë që arritja për implementimin e saj në praktikë është bërë gjatë takimit të dytë ndërmjet Kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi dhe homologut të tij, Ivica Dacic.
Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të dialogut ndërkaq është parakusht i të dyja shteteve për integrimet europiane. Autoritetet kosovare po presin që pas dialogut të marrin MSA’në dhe anëtarësimin në OKB si shpërblim, ndërsa Serbia pret datën për anëtarësimin në BE.