E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufizim për kredi nga degët e bankave të huaja

BSH vendos shpenzime shtesë për të gjithë portofolin e kredisë së dhënë në valutë

Degët e bankave të huaja do të kenë një portofol kredie të kufizuar për shkak të riskut shtesë

Bankat që operojnë në Shqipëri si degë të institucioneve financiare të huaja do të kenë një nivel të kufizuar të peshës së tyre në treg. Vendimi vjen nga ana e Bankës së Shqipërisë e cila i vendos këtyre institucioneve kufizime për shkaqe që lidhen me riskun që ato marrin përsipër. Të gjitha vendimet vijnë në kuadër të një plani të Bankës së Shqipërisë që është paralel me rritjen e kredisë së keqe dhe nivelit të kreditimit në vend. Portofoli i kredisë ka mbërritur në rreth 2.8 miliardë euro duke qenë afërsisht sa 30 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Nga ana tjetër kredia e re vazhdon që të rritet me një ritëm të shpejtë dhe masat që duhen marrë sipas BSH-së janë në funksion në uljes së risqeve financiare.

Udhëzimet e fundit kanë përfshirë në mënyrë specifike edhe kushtet për sa i përket rregullave të garancisë dhe të kolateralit. Bankat tashmë duhet të jenë më të kujdesshme edhe në këtë drejtim, pasi një pjesë e madhe e kredisë po kalon për konsum duke mos pasur një garanci të mirëfilltë. Rritja e kërkesave për shpenzime kapitali për portofolat e kredive të bankave, të përcaktuar si të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, është një nga pikat e tjera që pritet të forcojë rregullat në dhënien e kredive.

Kredia problem edhe për FMN

Kërkesa strikte janë drejtuar edhe nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në drejtim të kreditimit të realizuar nga bankat e nivelit të dytë. Në raportin nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, përcaktohen detyra të qarta për Bankën e Shqipërisë në drejtim të kontrollit të riskut të kredisë. "Rritja e normës së kreditimit dhe kreditë e pakthyera, duhet të jenë objekt i një raportimit të detajuar nga ana e bankave të nivelit të dytë, drejt Bankës Qendrore",- sqarohet në raportin e FMN-së. Përcaktimi i kushteve shtrënguese nga ana e FMN për bankat, shprehur në raport, lë të kuptohet se sistemi bankar është duke rritur riskun që vjen nga procesi i kreditimit. Kredia për ekonominë ka vijuar të shënojë ritme të shpejta rritjeje, edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2008. Portofoli i kredisë së sistemit bankar për ekonominë arriti në 340.5 miliardë lekë në muajin qershor 2008, duke përbërë 30 për qind të PBB-së. Vënia në zbatim gjatë këtij viti e një seti rregullator që synon kontrollin e ruajtjen e cilësisë së portofolit të kredisë, pritet të ndikojë në reduktimin e mëtejshëm të ekspansionit të kredisë. Raporti kërkon që bankat në vend të ngadalësojnë normat e provigjioneve, duke përshtatur normat e interesit dhe duke bërë rishikimin e objektivave të rritjes së kredive. Njëkohësisht, në raport, kërkohet që të mos jepet kredi, sidomos kredi konsumatore për klientët që nuk plotësojnë trefishin e pagesës mujore të kredisë, si dhe të pakësohen kreditë e dhëna pa kolateral. Por, nëse do të realizohej një analizë e hollësishme e këtyre kërkesave, bankat e nivelit të dytë aktualisht, realizojnë pjesën më të madhe të këtyre kritereve në dhënien e kredive. FMN u kërkon bankave të nivelit të dytë, që të japin kredi atje ku është siguruar një kolateral 150%, pavarësisht se kredia i është dhënë një personi apo është marrë nga disa persona. Bankave të nivelit të dytë u kërkohet që të rrisin kapitalin, ose të marrin masa të tjera për të realizuar një normë mesatare të kapitalit minimal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›