Kujdes nga pickimet, temperaturat e larta shtojnë rastet

Pickimet nga insektet janë pothuajse të pashmangshme gjatë verës. Më e vështirë bëhet kjo për ata që janë të ekspozuar për një kohë të gjatë në natyrë, e sidomos për fermerët dhe blegtorët.
Më të shpeshta rastet e pickimeve janë nga mushkonjat, grerëzat, bletët, merimangat, por vera shton dhe rrezikun e kafshimit nga gjarpërinjtë.
“Nëse shohim në lëkurën e duarve ose të këmbëve dy shenja ose dy skuqje me distance të vogël është mirë që të paraqiteni menjëherë nëqendër shëndetësore. Një pjesë e madhe e gjarpërinjve janë helmues ndërsa për sa i përket merimangës së zezë është shumë helmuese gati sa mund të rrezikojë edhe jetën”, tha Ardit Hanko, Mjek në Qendrën Spitalore Belsh.
Pavarësisht se nga çfarë insekti ka ardhur pickimi në çdo rast duhet kërkuar ndihma e bluzave të bardha.
“Shumica e rasteve menaxhohet mirë sepse nuk janë helmues, personat i mbajmë për disa orë në observim dhe më pas i dërgojmë në shtëpi. Në raste të rralla na është dashur ti drejtojmë në spitalin e Elbasanit”, u shpreh mjeku.
E për të shmangur sa më shumë rastet e pickimeve nga insektet, apo kafshimet nga zvarranikët mjekët këshillojnë sidomos për fermerët mos zbulimin as të krahëve dhe as të këmbëve.
/RTSH/