E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujdesi nis që në qendrën shëndetësore/Ato porta e parë edhe për identifikimin e problemeve të shëndetit mendor

Në një kohë kur ritmi i jetës po bëhet gjithnjë e më sfidues dhe problemet emocionale po shtohen, shëndeti mendor është shndërruar në një nga çështjet më të rëndësishme të shëndetit publik. Qendrat shëndetësore nuk shihen më vetëm si pika ku trajtohen problemet fizike, por edhe si porta e parë ku identifikohen dhe vlerësohen nevojat për kujdes psikologjik apo psikiatrik.

“Shëndeti mendor po zë gjithnjë e më shumë një peshë të madhe, pavarësisht grupmoshave. Pra, ne po shohim se të rinjtë, që nga mosha e adoleshencës, grupmoshat e mesme, por edhe të moshuarit, janë të gjithë të predispozuar për të zhvilluar problematika të shëndetit mendor”, tha Edona Tafa, Mjeke, QSH Rrethina.

Ky vlerësim i hershëm është vendimtar për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes dhe për të siguruar trajtimin e duhur në kohë. Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me pacientin, ndjekjes së vazhdueshme dhe përdorimit të protokolleve të standardizuara, mjekët dhe infermierët mund të identifikojnë rastet që kanë nevojë për konsultë të specializuar dhe t’i referojnë ato tek psikologët apo psikiatrit.

“Në këtë mënyrë, ka një farë forme të ridimensionimit të shëndetit mendor, ndoshta jo vetëm në aspektin e mjekut, por sidomos në atë të infermierit. Ne tashmë nuk i kemi infermierët me detyra specifike, siç ka ekzistuar më përpara: vaksinator, infermier terreni apo infermier mjeku. Por, përmes trajnimeve, qoftë teorike, qoftë praktike, ata konsiderohen tashmë infermierë familjeje, të aftë për të bërë të gjitha këto detyra”, tha ajo.

Statistikat dhe përvoja e përditshme e profesionistëve të shëndetësisë tregojnë se ankthi, depresioni dhe çrregullime të tjera mendore po prekin një numër në rritje qytetarësh, pa dallim moshe. Nga fëmijët e adoleshentët, te të rriturit dhe të moshuarit, shëndeti mendor nuk njeh kufij, duke e bërë të domosdoshëm identifikimin dhe trajtimin e hershëm të çdo problematike.

Gazetare: M Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›