Kujdesi për bagëtitë në dimër, blegtorët përgatisin bazën e duhur ushqimore

Dimri është periudha më kritike për blegtorinë, pasi mungesa e kullotave e bën ushqimin e kafshëve të varet plotësisht nga baza ushqimore e përgatitur paraprakisht.
Fermerët duhet të sigurojnë sasi të mjaftueshme dhe cilësore ushqimi për të garantuar shëndetin dhe prodhimtarinë e tufave.
Përgjegjësi i punës racore në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) bën me dije se kanë siguruar bazën ushqimore, ndërsa këshillon fermerët mbi ushqimin që duhet të përzgjedhin.
“Paraprakisht në Drejtorinë e Teknologjive Blegtorale në QTTB-në e Korçës është grumbulluar baza ushqimore për dimërimin e kafshëve të bërthamave racore që mbarështohen këtu. Është llogaritur një periudhë 6-mujore që kafshët mund të qëndrojnë të trajtuara në grazhd me këto ushqime. Baza ushqimore është grumbulluar në një hangar, ku është eliminuar pjesa e lagështirës. Fermerët, të cilët mbarështojnë kafshë, e kanë ezauruar këtë pjesë më së shumti,” tregon Lazart Suraj, përgjegjës i sektorit të punës racore në QTTB Korçë.
Ai thotë se tani është koha e përshtatshme për të përgatitur edhe silazhin.
“Për fermerët që bëjnë silazh, që mbarështojnë kryesisht gjedhë, është periudha e fazës së qumësht-dyllit te misri. Në këtë fazë duhet kryer kjo lloj procedure [silazhimi] për të siguruar një ushqim të konservuar gjatë periudhës së dimrit. Pra, silazhimi është një ushqim i konservuar për kafshët që nevojitet për periudhën e dimrit dhe ka një vlerë shumë të madhe, si energjetike, edhe proteinoze, për të mbarështuar kryesisht gjedhët,” thotë z. Suraj.
Sigurimi i ushqimit në kohë, ruajtja e tij në kushte të përshtatshme dhe shpërndarja me racione të balancuara ndihmojnë që kafshët të kalojnë dimrin pa humbje në prodhim dhe me shëndet të mirë.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/