Vau i Dejës përkujton Nënë Terezën, aktivitete në Katedralen që mban emrin e shenjtores shqiptare

Vau Dejës përkujtoi shenjtërimin e Nënë Terezës me një mbrëmje festive në sheshin përpara Katedrales që mban emrin e shenjtores. Aktiviteti u organizua nga Bashkia Vau Dejës në bashkëpunim me Famullinë e Shën Kollit.
Kryebashkiaku Kristian Shkreli theksoi vlerat e shenjtores dhe rëndësinë e ndjekjes së shembullit të saj në përditshmëri.
“Shenjtërimi i Nënë Terezës është një ditë që na kujton jo vetëm përmasat universale të veprës së saj, por edhe thirrjen që secili prej nesh ka për të qenë më pranë njëri-tjetrit. Ta bëjmë Vaun e Dejës shembull të solidaritetit, të bashkëjetesës dhe të respektit për njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu e respektojmë vërtet kujtimin dhe trashëgiminë e Nënë Terezës”, u shpreh Shkreli.
Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, solli mesazhin e paqes dhe të buzëqeshjes që predikonte gjithmonë Nënë Tereza.
“Le të kthemi sonte në shtëpitë tona, në familjet tona me këtë angazhim: të vij duke i buzëqeshur të gjithëve që takoj çdo ditë”, tha ipeshkvi i Sapës.
Përveç koncertit festiv u çel edhe një ekspozitë përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së Shenjtores Nënë Tereza, duke bashkuar komunitetin në një atmosferë reflektimi dhe mirënjohjeje.
/rtsh.al/