Kujdesi për kafshët, një ditë ndryshe për nxënësit në qendrën e mbarështimit të bagëtive në Korçë

Larg teknologjisë dhe pranë realitetit. Dita nisi ndryshe për këta fëmijë të shkollës “Mësonjëtorja” në Korçë, të cilët zhvilluan një orë praktike në qendrën e mbarështimit të bagëtive të imta dhe gjedhit. Nxënësit qëndruan afër me kafshët dhe u njohën me mënyrën e mbarështimit dhe kujdesit ndaj tyre.
“Ishin shumë kështu të ndryshme sesa ishin në televizor”, u shpreh një prej fëmijëve.
Specialistët e blegtorisë u shpjeguan pse kafshët janë të rëndësishme për jetën tonë dhe çfarë përfitojmë prej tyre.
“Mësuan dy gjëra se ç janë kafshët, përse i mbajmë, përse i mbashtrojmë, çfarë rëndësie kanë këto kafshë, si duhet t’u shërbejmë dhe të mirat që përfitohen nga kafshët”, tha Sotiraq Jankulla, Drejtor i Teknologjive Blegtorale, QTTB Korçë.
Shumë fëmijë shpalosën talentin duke pikturuar kafshët e tyre të preferuara dhe shijuan ushqime të shëndetshme e lëngje frutash, për të cilat u angazhuan t’i përgatisnin vetë. Në fund, realizuan punimin simbolik “Gjurmët e dashurisë për kafshët”, duke lënë secili gjurmën e dorës si shenjë kujdesi dhe dashurie.
/rtsh.al/