E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kujdesi për kafshët shtëpiake – Vaksinimi dhe ushqimi, kriteret bazë për shëndetin e tyre

Kujdesi për kafshët shtëpiake është shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Mjekja veterinere Aedona Qirjaqi thekson se ndërgjegjësimi i njerëzve për mirëqenien e katërputroshëve është rritur dukshëm, jo vetëm në lidhje me ushqimin, por edhe në vaksinimin dhe trajtimin me medikamente të ndryshme në varësi të sëmundjeve që mund të kenë.

“Ndërgjegjësimi ka filluar. Ka akoma nevojë që njerëzit të ndërgjegjësohen për pjesën e përkujdesjes së kafshëve, duke nisur nga pjesa e vaksinimeve dhe sjelljes te veterineri në kohën e duhur, kur kanë problematika apo shenja sëmundjeje të cilat nëse nuk sillen në kohë, mund të jenë fatale për kafshën,” thotë mjekja veterinere.

Ndër të tjera, Dr. Qirjaqi shton se ka shumë vullnetarë që sjellin kafshë endacake për t’u ofruar trajtimin e nevojshëm.

“Ka filluar të funksionojë edhe pjesa e adoptimeve. Ne sugjerojmë sterilizimin dhe kastrimin për të shmangur pjesën e mbipopullimit,” shton veterinerja.

Kafshët shtëpiake luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tonë të përditshme.

Specialistët theksojnë se është e domosdoshme t’u ofrojmë atyre kujdesin e duhur, jo vetëm për mirëqenien e tyre, por edhe për shëndetin dhe sigurinë e vetë njerëzve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›