Kukës – Dy shtetas në kërkim për korrupsion zgjedhor

TIRANË, 10 maj /ATSH/ – Strukturat e posaçme për hetimin e krimeve zgjedhore në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kanë ushtruar kontrolle në banesat e shtetasve G.P dhe K.P., në kuadër të hetimeve për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas policisë, ndaj këtyre shtetasve është ngritur dyshimi se kanë ofruar vlera monetare për orientimin e votës ndaj një subjekti politik. Të dy janë shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Kukës, nën drejtimin e SPAK, janë duke vijuar hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë të dyshuar të korrupsionit zgjedhor.
Policia njofton se do të vijojë bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë për të garantuar mbarëvajtjen dhe integritetin e proceseve zgjedhore.
/a.f/