Kukësi dhe Lezha, qytetet me numrin më të lartë të papunësisë
Kukësi dhe Lezha figurojnë si zonat me papunësinë më të madhe në vend, përkatësisht me 51.3% dhe 48.2%. Të dhënat vijnë pas përpunimit të bërë nga Instat sipas ndarjes së re territoriale me 61 bashki. Papunësia më e ulët reflektohet në Berat me 20.7% e ndjekur nga Fieri me 23.9%, ndërkohë që edhe rrethet si Dibër, Shkodër dhe Durrës numërojnë një papunësi më të lartë se 30%. Shkalla më e lartë e papunësisë nëse i referohemi përpunimit të të dhënave të bëra nga Instat haset tek të rinjtë. Kryeson përsëri Kukësi me rreth 75.5% të papunësisë tek të rinjtë e ndjekur nga Lezha me 75.1%, Shkodra me 64.2%, Dibra me 60.6%. Por ajo që bie më shumë në sy është fakti që papunësi të lartë tek të rinjtë është regjistruar edhe në kryeqytet ku figurojnë rreth 51.3% e tyre. Berati që regjistronte nivelin më të ulët të papunësisë në total kur bëhet fjalë për të rinjtë edhe këtu janë të regjistruar rreth 40.6% e të rinjve të papunë. Por nëse bëjmë një krahasim të numrit të të papunëve në meshkuj dhe femra për Kukësin rezulton se numri më i lartë i të papunëve është në meshkuj me 52.6% krahasuar me atë të femrave me 48.8%. Lezha gjithashtu shënon një numër më të lartë të meshkujve të papunë krahasuar me femrat respektivisht 48.5% ndaj përqindjes së femrave me 47.7%. Ndërsa përsa u përket zonave të tjera kemi një përqindje të përafërt përsa i përket papunësisë mes meshkujve dhe femrave.