Kukesi kualifikohet per ne raundin tjeter te Liges se Europes
Një festë legjitime për një kualfikim historik. Kukësi vazhdon ëndrrën europiane dhe në debutimin e tij në Ligën e Europës kalon në raundin tjetër të këtij kompeticioni.
Një arritje e merituar për skuadrën e drejtuar nga Armando Cungu, që ruan barazimin 1-1 të ndeshjes së parë, duke barazuar pa gola ndaj Flora Talin në sfidën e kthimit të luajtur në “Qemal Stafa”.
Mjaftonte të mos pësonte gol dhe Kukësi e ruajti me fanatizëm këtë avantazh që i kishte dhënë ndeshja e parë.
Të kota përpjekjet e estonezëve. Të besuarit e Cungut nuk kanë ndërmend të falin asgjë.
Nuk mungojnë rastet. Më të shumtë për Kukësin që nuk arrin të shënojë golin e qetësisë.
Mbyllet me rrjeta të paprekura pjesa e parë, me skuadrën shqiptare që duhet të presë edhe 45 minuta të tjera.
Nuk ka gol as në pjesën e dytë.
Kukësi pret vetëm fundin e ndeshjes, por ia vështirëson misionin vetës në minutën e 79.
Musolli ndëshkohet me karton të kuq.
Me dhjetë lojtarë kukësianët duhet të vuajnë për 11 minuta, por në fund e gjithë festa është për ta. Historik kualifikimi për skuadrën e Armando Cungut që shkruan një tjetër kapitull në një sezon fantastik.
I thotë lamtumirë aventurës së saj europiane Teuta. Shpresat e durrësakëve pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë janë shuar në tranfertën moldave, ku skuadra e drejtuar nga Gugash Magani u mund me rezultatin 2-0.