E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulakët, një histori shqiptare

Fshatare shqiptare ne vitet e kolektivizimit te bujqesise

Valeria Dedaj

Libri Genocidi mbi kulakët i autorit Xhafer Sadiku ka pak kohë që është hedhur në qarkullim. Ndoshta i vetmi që trajton luftën e klasave në Shqipërinë komuniste, luftë kundër kulakëve që zgjati prej vitit 1948 deri në rënien e regjimit, ky studim ka rëndësi për vlerën dokumentare. Ai i gjithi bazohet në materiale të Arkivit Qendror të Shtetit dhe literaturave të ndryshme mbi historinë e Shqipërisë të kësaj periudhe.

Libri është konceptuar në gjashtë kapituj: Në fillimet e sundimit komunist, Kongresi i Parë i PKSH dhe politika e përçarjes,Tatimet e kulakëve, Lufta politike kundër kulakëve, Shkatërrimi i elitës dhe Nën shpatën e drejtësisë popullore.

Gjithçka është një përmbledhje e masave të gjithanshme që u morën kundrejt shtresës së përmbysur të shoqërisë, masa diskriminuese qofshin politike, ekonomike apo dhe ideologjike. Masa që u morën me ndryshimet politike që ndodhën në kampin komunist më 1948-ën prej rivalitetit Stalin-Tito apo sesi politika projugosllave e ndjekur nga Partia Komuniste Shqiptare në të gjitha fushat, u zëvendësua nga bindjet ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Stalinit, në themel të së cilës ishte lufta e klasave.

Fillimisht udhëheqësi komunist shqiptar Enver Hoxha bënte thirrje që partia të mos bënte lëshime në këtë drejtim por përkundrazi, kulakët, bejlerët, tregtarët e mëdhenj, spekulatorët, fajdexhinjtë duheshin goditur pa mëshirë. Ai e konsideronte rrezik të madh nëse nuk merreshin parasysh principet e mëdha të leninizmit. Në Kongresin e Parë të Kooperativave Bujqësore, në shkurt të 1949-ës, u përcaktua politika në lidhje me fshatarësinë, ku Enver Hoxha u dërgoji rretheve një promemorie që përcaktonte masat që duhet të merreshin ndaj kulakëve. Ai vinte në dukje: Ne duhet të ruhemi nga rreziku që mund të gabojmë për çështjen, se duke menduar se i kemi reduktuar kulakët në fshat në një shkallë me fshatarësinë e varfër ose të mesme në lidhje me tokën dhe me gjendjen ekonomike të tyre, ne kemi zhdukur kulakun si kulak, si klasë e fundit kapitaliste dhe këtej të harrojmë të bëjmë diferencimin e klasës në fshat. Pavarësisht se nga të dhënat arkivore cilësimi i kulakëve nuk u bë mbi kritere politike, sepse rreth një e treta e tyre kishin mbështetur Lëvizjen Nacional-Çlirimtare apo kishin qenë dhe ish-partizanë, apo ish-anëtarë të komandove të vendit etj.. Në drejtimin ekonomik, lufta kundër kulakëve vendosi tatime të rënda, u mori atyre prodhimet bujqësore e blegtorale megjithëse ata ishin fshatarë me të njëjta të ardhura si familjet e tjera fshatare.

Ndërsa kur vinte puna e ballafaqimit të kulakut me drejtësinë, jeta e tij ishte seriozisht e kërcënuar me burg po edhe me vdekje. Sadiku sjell dokumente që dëshmojnë se në dhjetor të 1949-ës, në Vlorë dhe në Fier, u zhvilluan procese gjyqësore ku u dënuan 44 fshatarë, nga të cilët 13 me vdekje. Grupi i parë i të dënuarve ishte ai i kulakëve të Dukatit. Nga 15 të arrestuarit, 5 u dënuan me vdekje dhe të tjerët me burg.

Gjatë viteve 1950-51 u dënuan 611 kulakë. Ishin nga rrethet Lushnje, Fier, Krujë, Shkodër, Sarandë, Vlorë dhe Peshkopi.

Në këtë rend kohor, roli i medias dhe botimet e shumta propagandistike krijuan një imazh të rremë mbi fatin tragjik të kësaj pjese të shoqërisë. Fronti i Luftës kundër kulakut ishte detyra kryesore e shtypit të përditshëm që në fillimet e kësaj lufte. Në krye qëndronte Zëri i Popullit që përcillte zërin e Partinë së Punës dhe Bashkimi organ i Frontit Demokratik. Te Zëri i Popullit ndër të tjera shkruan: Tek kulaku, rinia duhet të shikojë armikun e betuar kundër Republikës sonë, armikun e së ardhmes së saj, njeriun që është i gatshëm të bëhet agjent i imperializmit amerikano-anglez. Ndërsa te Rinia shkruhet: Sot në fshat kemi armiq kulakët, por ne na ka mësuar partia të mbajmë sy e vësh hapur. Ne agjitatorët do të bëhemi agjitatorë në fshat dhe do tu thyejmë hundët kulakëve.

Kjo që ndodh me kulakët, nuk mund të shihet e ndarë nga gjithë kuadri i politik,  ekonomik e social i shoqërisë shqiptare. Politika penale e ndjekur nga regjimi komunist, varfëria dhe mjerimi që kishte pllakosur vendin, e kriminalizoi edhe më këtë shoqëri. autori i Genocidit mbi kulakët provon se numri i të dënuarve për të gjitha veprat penale që nga Çlirimi deri më 1957-ën arrin në 103968. Nga këta: 1599 me vdekje; 59992 me burgim; 21578 me punë korrektonjëse; 20802 me gjobë ose dënime të tjera më të lehta.

Me kolektivizimin e bujqësisë më 1967-ën, u krijuan kushte të reja për zhvillimin e luftës klasore në fshat, qeveria u dërgon komiteteve ekzekutive në rrethe një projekt mbi çështjet e trajtimit të kulakëve dhe të familjeve të tyre. Sipas këtij projekti rrezikshmëria politike e kulakut vazhdon të jetë e dukshme prandaj duhej që vigjilenca dhe mbikëqyrja e tyre të jetë e vazhdueshme, kurse ata që do të mbajnë qëndrim të keq politik të mos pranohen si krah pune së bashku me familjarët e tyre. Nëse personat e cilësuar kulak janë larguar nga vendi i origjinës për në qytete, të dërgohen përsëri atje së bashku me familjarët nëse ata nuk pranojnë duhet të dënohen dhe dëbohen, ose nëse kishin dhënë prova të mira në sjellje atyre mund tu hiqej emërtimi kulak.

Fëmijët e kulakëve që banonin në qytete të veçuara nga prindërit dhe që kishin fituar specialitete të ndryshme në punë, do të vazhdonin të qëndronin jashtë rrethit ose do të ktheheshin në rreth sipas gjykimit të komitetit ekzekutiv.

Por lufta diskriminuese kundër armikut të klasës u zgjerua dhe nga organizatat e masave si Fronti Demokratik, Organizata e Gruas, Organizata e Rinisë etj.. Në shumë organizata rinie, të rinjtë bir kulaku u përjashtuan.

Në vitin 1968 Ministria e Bujqësisë e ndan kontrollin mbi kulakët në tri kategori. Në grupin e parë futeshin ata që duhet të drejtoheshin nga komunistët dhe të punonin të veçuar në procese të rënda për hapjen e tokave të reja; në të dytën bënin pjesë ata që mund të punonin me kooperativistët e tjerë dhe të mos merrnin pjesë në mbledhjet e brigadës bujqësore; e ata të kategorisë së fundit mund të punonin në brigadë, të merrnin pjesë nëpër mbledhje, por pa të drejtën e fjalës.

Genocidi mbi kulakët e ndriçon luftën kundër armikut të klasës pothuajse nga të gjitha aspektet dhe përgjatë gjithë kohës që pati jeta diktatura e proletariatit, edhe atëherë kur Enver Hoxha nuk jetonte më.

Autori Xhafer Sadiku del në një përfundim të shkurtër që zë vendin e epilogut në këtë studim: Në 91-shin u bënë ndryshime që patën me tepër karakterin e konvertimeve politike në formë se në përmbajtje, sepse kulakët mbetën përsëri shtresat më të persekutuara. Lufta kundër kulakëve përbën një nga faqet më të errëta të historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar ajo zgjati për më shumë se dyzetë vjet, por pavarësisht kësaj në popull mbizotëroi fryma e pajtimit, pasi ata që pësuan shtypjen dhe terrorin e sistemit komunistë nuk treguan shenja revanshizmi. Ata jo vetëm nuk u shpërblyen për dëmet e pësuara, por asnjë kryetar shteti nuk u ka kërkuar falje për krimet që shteti kreu kundër tyre.

Letërsia dhe artet kundër kulakëve

Përvoja në këtë fushë ishte mjaft e pasur në Bashkimin Sovjetik. Më 18 prill 1950 Zëri i Popullit botonte poemën Marshi i të korrave të poetit rus Vladimir Majakovski, ku bëhej thirrje e hapur për terror kundër kulakëve: …Armiqtë që të gjithë/ Karkalecë, kulakë/Ti fshijmë nga fushat/ Ti hedhim shpejt në flakë…

Nën frymëzimin e artit sovjetik, shkrimtarët dhe

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›