Kulluri : Asnjë nga palët nuk mund të fitojë vetëm, as ne as “Rithemelimi”. Duhet një bashkim pa Berishën

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri, deklaroi në “Ekspres” se nëse nuk do të ketë një bashkim real të opozitës, është e pamundur që opozita të fitojë zgjedhjet. Por sipas tij, nuk duhet të ketë një bashkim fiktiv dhe këtu ai përjashton një bashkim me Rithemelimin me Sali Berishën Kryetar të PD-së apo Berisha si Kryetar të opozitës.
“Jemi në një provë të madhe se çfarë do të prodhojmë politikisht. Asnjë nga palët nuk mund të fitoj vetëm, as ne as Rithemelimi. Duhet një bashkim të opozitës por pa qenë z. Berisha as kryetar i PD-se dhe as kryetar i opozitës”, u shpreh ai.
Kulluri ka vlerësuar propozimin e Kryetarit të PD-së, z. Basha, që të rishikohet buxheti i shtetit duke i dhuruar Kosovës 50 milion euro.
“Propozimi i z, Basha për të ndryshuar buxhetin dhe për ti dhënë Kosovës 50 milion euro duhet të merret seriozisht nga z. Rama . Nga pikëpamja teknike është shumë e realizueshme pra spostimi i një shume financiare nga një program në një tjetër. Buxheti ka arritur nivele të përballueshme dhe kjo është një çështje të një rëndësie të madhe. Nuk është një propozim që rrit tension në Ballkan por rit kapacitetet ushtarake të Kosovës në një klimë rajonale të ngarkuar”.
Kulluri ka folur dhe për çështjen e akuzave kundrejt PD-së për pranimin e financimeve ruse në fushatë. Sipas tij, “para pak ditësh ka pasur një zbardhje të një pjesë të dosjes MCGonigal ku ndër të tjera u fol dhe me atë të ashtuquajturën financim i parave ruse . Është aludim, organet hetimore të SHBA-së nuk kanë gjetur indicie apo prova juridike. Kjo do të thotë se nuk ka një dosje Basha për investime nga paratë ruse. Nuk ka asnjë të dhënë që PD-ja ka implikim në këtë çështje”.
Ndër të tjera ai tha se marrëveshja e 21 prillit 2008 që kishte të bënte me ndryshimet Kushtetuese, Rama-Berisha e kanë minuar parlamentarizmin dhe asnjë nga këta faktorët nuk ka reflektuar.
“Parlamentarizmit shqiptar i është bërë një dëm shumë i madh me ndryshimet e 2008 dhe me këmbënguljen tonë besoj se do jetë e pafuqishme derisa të merren parasysh propozimet tona për listat të hapura ,për të konsideruar Shqipërinë vetëm një zonë elektorale që të kemi barazimi të votës që një mandat mos të vlej më shumë në një zonë dhe më pak në zonë tjetër. Gjithashtu kemi propozuar votimin elektori dhe votën e diasporës”.
Ndaj tha ai, grupi i Berishës nuk e kanë hallin tek reforma zgjedhore por duan bashkëkryetarin.
Duke folur për procesin e riorganizimit, Kulluri garantoi se , “jemi në fund të procesit të riorganizimit dhe besoj deri në mars ne kemi identifikuar grupin e kandidatëve për deputet , ky proces do jetë gati një vit para zgjedhjeve.
/rtsh.al/