Kultivimi i kanabisit mjekësor, Berisha: Do të mbajmë qëndrim shumë të rreptë pas 11 majit

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi sot një bashkëbisedim me prodhuesit e bimëve mjekësore.
Gjatë fjalës së tij Berisha paralajmëroi ato të cilët kanë marrë licenca për kultivimin e kanabisit mjekësore, të cilat i cilësoi si “licencat e helmit”, duke thënë se do të mbajë qëndrim të rreptë pas 11 majit.
Berisha tha se PD do të zhdukë drogën nga Shqipëria.
“Më mirë mos bëni mëkat të mbillni drogë se absolutisht qeveria pas 11 majit do ketë një qëndrim shumë të rreptë ndaj saj”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “Shqipëria nuk mund të zhvillohet mbi drogën, Shqipëria ka trashëgiminë e saj natyrore fantastike, të jashtëzakonshme ndaj dhe ato licenca iu bëj thirrje atyre fermerëve që i morën për vota, t’ia djegin, të mos mbushin ato sipërfaqe me kanabis, me bimë helmi, por të shohin dhe të mbjellin bimë aromatike, të cilat kanë një eksport, janë me një kontribut të madh”.
“Ne do t’i japim përparësi shumë të madhe këtij sektori, çka do të thotë se për çdo hektar, për çdo njësi prodhimi, për çdo hapësirë grumbullimi, për çdo investim në përpunimin e tyre, në industrinë e tyre, ne do të qëndrojmë të vendosur të subvencionojmë, të kreditojmë me kredi të buta, të krijojmë çdo lehtësi”, tha Berisha.
/a.f//r.e/