E Premte, 6 Nëntor 2026

Kultivuan kanabis në Shkodër, Apeli jep masën “arrest në shtëpi” për policin

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informoi sot se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale e AMP- së Shkodër Lezhë, ka administruar informacion se në fshatin Pepsumaj, të njësisë administrative Shosh ndodhen të kultivuara parcela me bimë narkotike.

Nga monitorimi i territorit nga ajri me dron, janë konstatuar parcela me bimë narkotike, të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë shtetasit me iniciale N. F dhe M. F.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka zhvilluar gjykimin lidhur me verifikimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale N. F, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”  dhe “Kultivimit të bimëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, si dhe ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale M. F, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të“Kultivimit të bimëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr.295, datë 19.04.2024, ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr.289, datë 16.04.2024 nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj shtetasit N. F, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kultivimit të bimëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr.289, datë 16.04.2024 nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj shtetasit M. F, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve nga personi nën hetim me iniciale N. F, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit caktimin e një mase sigurimi personal më të lehtë si ajo “arrest në shtëpi”, si dhe nga personi nën hetim me iniciale A. F, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Prokurori pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Gjon Fusha, gjatë gjykimit, në seancë gjyqësore kërkoi caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, për personin nën hetim shtetasin me iniciale N. F” si dhe miratimin e vendimit, për personin nën hetim shtetasin me iniciale M. F.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 20.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me gjyqtar, Dritan Hasanin, vendosi miratimin e vendimit Nr. 289 (1867), datë 16.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër dhe Nr. 295 (1954), datë 19.04.2024, në lidhje me caktimin e masës së sigurimit për të dyshuarit dhe vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj të dyshuarit M. F si dhe ndryshimin e vendimit Nr. 295 (1954), datë 19.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në lidhje me të dyshuarin N. F, në këtë mënyrë zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, duke urdhëruar, të dyshuarin të mos largohet nga banesa e tij.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›