E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulturalizimi i Kishës Katolike

Nga Lulzim Hoxha

lulzim hoxhaPara disa ditësh në gazetën britanike The Independent bëri shumë bujë deklarata e papës Francis se në parajsën e krishterë ka vend edhe për ateistët. Sipas papës çdo njeri që kryen vepra të mira përgjatë jetës së tij meriton të shkojë në parajsë, pavarësisht nëse beson në zot ose jo. Vetëm një ditë më pas, deklarata e papës u korrigjua nga Vatikani, që sqaroi se vetëm ata që zgjedhin Jezu Krishtin si udhëheqësin e tyre shpirtëror meritojnë të shkojnë në parajsë, ateistët do të shkojnë në ferr. Kundërpërgjigja e Vatikanit ndaj kreut të Kishës Katolike krijoi konfuzion lidhur me qëndrimin e Institucionit të Kishës ndaj përhapjes në shkallë të gjerë të ateizmit në shoqëritë perëndimore, por përtej diskutimit në dukje qesharak në lidhje me faktin se kush do të shkojë më parë në ferr kjo ngjarje sjell për herë të parë në ligjërimin institucional të Krishterë vëmendjen mbi ateistët si pjesë integrale të kulturës perëndimore. Shekullarizimi i Kishës Katolike që nga moderniteti me revolucionet franceze të shek XVIII u shndërrua në një fenomen që mund të themi se përbën bërthamën e qytetërimit perëndimor të ditëve të sotme, po të marrim parasysh se në fenë islame ideja e ndarjes së fesë nga shteti as që nuk është konceptuar ndonjëherë. Madje e gjithë rilindja europiane që nga periudha e iluminizmit duke vazhduar me atë të romantizmit (shek. XVIII-XIX) me filozofët iluminist si Rousseau apo Voltaire kanë pasur si prioritet veçimin e shtetit dhe politikës nga dogmatizmi fetar i ancien régime që e mbante Kishën si qendrën e gravitetit të kulturës perëndimore. Që mbas ndarjes së Kishës nga shteti, shekullarizimi i fesë së Krishterë i dha një goditje të fortë Institucionit kishtar, që u shndërrua tashmë në një institucion që nuk përkufizohet më si qendra e çdo institucioni shoqëror, por thjesht si një institucion që vepron krahas shumë agjencive të tjera (shkollës, profesionit, familjes etj). Në këtë drejtim, implikimet që dalin nga deklarata (në dukje) e nxituar e papës na paraqesin një problematikë që ka efekte reale në kulturën e shoqërisë perëndimore.

Së pari, duket se fraza e papës lë të kuptojë idenë e një ribashkimi midis kulturës perëndimore dhe fesë së Krishterë, sigurisht në kushte tërësisht të ndryshme nga periudha para-moderne. Në kushtet e shoqërisë bashkëkohore, duket se ekziston ideja e zhvendosjes së fesë për tek kultura perëndimore në kuadër të zgjerimit deri tek elementët heretik të saj. Zgjerimi i fesë në strukturën kulturore duke integruar në botëkuptimin fetar të gjitha sjelljet që konsiderohen si kulturalisht të mira evidenton faktin e një transformimi të Kishës Katolike, gjë që filloi qysh me dorëheqjen e paprecedent të Papa Benediktit e deri tek anti-konformizmi i Papës Francis (që nga bekimi i të burgosurve e deri tek rehabilitimi i ateistëve).

Së dyti, duket se staticiteti i hierarkisë së institucionit të Kishës nuk i përgjigjet më kushteve shoqërore të kohës, pikërisht për këtë arsye për herë të parë po asistojmë në një Kishë e cila po kundërshton deklaratat e Papës. Që nga fillimet e saj, Kisha Katolike deri më sot është barazuar me Papën, ose më saktë Papa ka qenë materializimi trupor i institucionit kishtar. Në këtë drejtim, implikimi i dytë që na sjell kjo ngjarje është vështirësia e Kishës për të ruajtur hierarkitë e vjetra të konservuara prej shekujsh në kontekstin e një shoqërie me një dinamikë të vazhdueshme.

Së treti, për herë të parë kjo ngjarje duket se pasqyron veçimin e vlerave katolike (të cilat sipas Papës duket janë pjesë e kulturës perëndimore) nga institucioni i Kishës Katolike të vendosur në qendër të kritikave pas skandaleve të vazhdueshme të kohëve të fundit. Duke integruar sjelljet e mira të ateistëve brenda botëkuptimit të Krishter, duket se për herë të parë një Papë vendos si prioritet aspektin material (sjelljet e mira) kundrejt aspektit shpirtëror (faktit nëse i përket fesë së Krishter). Pra nuk është e thënë që vetëm të Krishterët bëjnë vepra të mira, por mund të bësh vepra të mira edhe nëse nuk beson në zot. Thënë ndryshe: Veçimi i sistemit të vlerave njerëzore nga streha e një institucioni fetar që është në rrënim e sipër evidenton nevojën për ripërkufizimin e rolit në shoqëri të strukturës institucionale të Krishterë. Në instancë të fundit, duket sikur ateistët kanë rolin e shpëtimtarit të Kishës Katolike pas goditjeve të vazhdueshme që i janë dhënë qysh nga koha e revolucionit francez e deri në skandalet e vazhdueshme të priftërinjve. Integrimi i ateistëve brenda diskurit fetar mund të jetë hapi i parë i forcimit të dinamikës së brendshme të Kishës si institucion. Nevoja e një institucioni hierarkik si Kisha për të depërtuar brenda një elementi thellësisht horizontal si kultura në njëfarë mënyre shpalos idenë e rindërtimit të konceptit të fesë brenda një shoqërie që është gjithnjë e më pak e prirur të besojë në zot. Kësisoj deklarata e Papës nuk mund të konsiderohet si një lajthitje e çastit, por si rrjedhojë e një krize besimi në masë, së cilës Kisha Katolike për hir të së vërtetës nuk është se ka dhënë ndonjë mundësi përmirësimi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›