Kumbaro: Fëmijët, bashkëpunëtorët më të mirë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura

TIRANË, 1 janar /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vuri në dukje duke përcjellë pamje në rrjetet sociale, se aktiviteteve mjedisore për mbjelljen e pemëve dhe përkujdesjen për botën e gjallë në zonat e mbrojtura u janë bashkuar gjatë gjithë vitit edhe fëmijët.
“Me miqtë e vegjël të biodiversitetit dhe natyrës, bashkëpunëtorët më të mirë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Punojmë çdo ditë që brezat e ardhshëm të trashëgojnë një mjedis të shëndetshëm dhe biodiversitet të pasur”, shprehet Kumbaro.
Buxheti i vitit 2025 krahasuar me buxhetin e vitit 2024 ka një rritje prej 7,9% ose 306 milionë lekë më shumë, kjo si rezultat i rritjes së pagave në bazë të politikave të qeverisë si dhe investimeve të brendshme me 173 milionë lekë.
Fondi i planifikuar për shpenzime korrente për vitin 2025 është 49 milionë lekë më shumë për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për të mbuluar shpenzimet në miradministrimin e zonave të mbrojtura.
Në fushën e mjedisit gjatë vitit 2025 synohet sigurimi dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit, në dobi të brezave të sotëm dhe të ardhshëm, si dhe sigurimin e kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. /j.p/