Zgjedhjet e parakohshme, Osmani takohet me Të Ngarkuarën me Punë të SHBA

PRISHTINË, 20 nëntor /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së Anu Prattipati me të cilën ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, raporton KosovaPress.
Osmani theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike.
Në takim u trajtuan gjithashtu edhe çështje të ndryshme të bashkëpunimit bilateral.
Me këtë rast presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë për forcimin e partneritetit me aleatin më të rëndësishëm strategjik, SHBA.
Osmani takon ambasadorin Jonathan Hargreaves
Po sot presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, raporton KosovaPress.

E para e vendit ritheksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike.
Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e bashkëpunimit dypalësh me Britaninë e Madhe, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Në këtë frymë, u diskutua edhe mbi përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Britaninë e Madhe, ashtu siç ishte diskutuar me sekretarin e Jashtëm britanik gjatë vizitës së tij në Kosovë.
/KosovaPress/