Kumbaro: Partneriteti me Universitetin Teknologjik të Compiègne, hap drejt ndërkombëtarizimit të UPT

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi ditët e fundit një vizitë në kampusin e Universitetit Teknologjik të Compiègne (Francë), ku u prit nga presidentja e institucionit, Claire Rossi.
Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro tha se “partneriteti mes Universitetit të Compiègne dhe dhe Universitetit Politeknik të Tiranës po merr formë konkrete dhe afatgjatë jo vetëm në studime, por edhe në krijimin e inkubatorëve të startup-eve”.
Kumbaro u shpreh se “falë marrëveshjes mes dy qeverive dhe punës së përbashkët të ekipeve të Ministrisë së Arsimit, Ambasadës Franceze, UPT dhe UTC, tashmë në Shqipëri është krijuar Kampusi i përbashkët me selinë e Universitetit të Compiègne”.
“Ky kampus i jep mundësi studentëve shqiptarë të ndjekin programe bachelor, master dhe doktoratë, në Inxhinieri Informatike dhe në Inteligjencë Artificiale, me leksione të përbashkëta nga profesorë francezë dhe shqiptarë, të përfitojnë mobilitete akademike në të dy universitetet dhe të diplomohen me dy diploma të vlefshme të njohura nga të dy vendet në Shqipëri dhe në Francë”, nënvizoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “ndërkombëtarizimi i Arsimit të Lartë është një nga prioritetet e këtij mandati në arsim, që synojmë ta zgjerojmë në fushat prioritare të zhvillimit”.
Hapja e Kampusit të Universitetit Teknologjik të Compiègne (Francë) në UPT është një nga arritjet më të mëdha në arsimin e lartë shqiptar. Një program është hapur në UPT është Bachelor në Inxhinieri Kompjuterike dhe një në Sisteme Elektronike. Mësimi zhvillohet në UPT me profesorë shqiptarë dhe francezë. Në fund studentët do të marrin dy diploma, një të UPT dhe një diplomë franceze të UTC. Ndërsa në vitin e tretë është hapur një program i ri Bachelor në Inxhinieri Mekatronike. E reja e këtyre diplomave të dyfishta është që mësimi bëhet në Shqipëri.
1 nga 7/k.s/r.e/