Kumbaro: Rikualifikim hapësirave publike në Dhërmi, për sezonin tjetër turistik veror

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se në bashkëpunim me bashkinë e Himarës ka nisur puna për rikualifikimin e hapësirave publike.
Kumbaro tha se “ka nisur edhe rikualifikimi i rrugëve drejt plazheve dhe strukturave akomoduese, që po ngrihen gjithmonë e më cilësore në Dhërmi”.
Por, vijoi ministrja Kumbaro, pikërisht për këtë nuk mund të pranojmë që kioska të paligjshme, objekte të lëna në harresë dhe papastërtitë të cenojnë një prej destinacioneve më të preferuara.
“Në bashkëpunim me IKMT që është tashmë çdo ditë në terren, me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, e cila mbështet me ekspertizën në planifikimin e ndërhyrjeve dhe rikualifikimit si edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit puna ka nisur tani për të qenë gati për sezonin tjetër turistik veror, me qëllim sistemimin estetik të hapësirave që shihen me sy të lirë përgjatë gjithë bregdetit të Dhërmiut”, tha Kumbaro.
Përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturave të zonave bregdetare, në mënyrë të veçantë në jug të vendit është një nga prioritetet e qeverisë për zhvillimin e zonave me potencial të madh turistik.
1 nga 7/k.s/r.e/a.f/