E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kumbaro: Shijet unike të kulinarisë shqiptare në panairin ITB Berlin 2025

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Shqipëria në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025 do të prezantojë edhe më të mirën e kulinarisë shqiptare.

Pas ceremonisë së hapjes që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, të ftuarit do të shijojnë specialitetet shqiptare të kulinarisë në orën 19:30, në CityCube Berlin.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale videon promovuese të prezantimit të kulinarisë shqiptare në panair.

“Si mund të përjetoheshin krejt ndjesitë e Shqipërisë pa shijet unike të ushqimeve tona?! Prezantohemi sonte në ITB Berlin 2025 edhe me krenarinë tonë kulinare, ku të ftuarit do të mund të provojnë disa prej specialiteteve e delikatesave me shije shqiptare, si dhe do të njohin historinë e pasur të gastronomisë që vendi ynë e ruan dhe e përcjell me fanatizëm duke u kthyer në një magnet për përvoja të ekselencës gastronomike dhe tureve kulinare”, shkruan Kumbaro.

Shefi i kuzhinës, Gent Malaveci, në videon e publikuar nga Kumbaro thekson se “në Berlin do të prezantojmë 14 pjata me shije shqiptare, të moderuara, por pa humbur shijen fillestare. Perimet i gjejmë pothuajse në çdo vend, në çdo cep të Shqipërisë, si për shembull pjatën me troftë, mishin e malit që është nga zona e Tepelenës, së bashku me nënprodukte të tjera që gjenden në zonat përreth, si Gjirokastër, Tepelenë, Korçë. Shije të thella, të vjetra shqiptare me të cilat jemi rritur. Produkti, ngjyrat, deti, mali, perimet, ullinjtë, vaji i ullirit, mishi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë përbërëse e kulturës sonë”.

“Sigurisht, vendi ynë ka një histori të pasur gastronomike, si para dhe pas viteve ‘90. Kënaqësia më e madhe është se ruajmë shijet me të cilat jemi rritur në familjet tona, duke u ofruar këto produkte edhe turistëve. Ne jemi gati. Shihemi në Berlin”, tha Malaveci.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në ITB Berlin synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e tur-operatorëve në stendën e Shqipërisë.

Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›