E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Panairi i turizmit, Rama: Shqipëria, gati të mikpresë gjermanët në Berlin


TIRANË, 3 mars/ATSH/ “Shqipëria duke u bërë gati të mikpresë gjermanët në Berlin”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale ndërsa përcolli pamje nga përgatitjet e trupës së Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit e Ansamblit Popullor me këtë rast.

Në panairin global të turizmit, ITB Berlin, artistët e Ansamblit Popullor të TKOBAP-së po përgatiten të prezantojnë trashëgiminë e pasur kulturore e shpirtërore shqiptare. Ata gjenden në Berlin së bashku me maestro Endri Sinën.

Në panair do të prezantohen përvojat, emocionet dhe shijet unike që e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik të shumëdëshiruar.

Performanca e artistëve të shqiptarë pritet të nisë në orën 18.00 në CityCube Berlin. Kjo ceremoni është konceptuar me elemente kryesorë: një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca live me “Shkodra Elektronike”, përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar Shqiptar.

Pas ceremonisë, të ftuarit do të shijojnë specialitetet shqiptare të kulinarisë në orën 19:30, në CityCube Berlin. /r.e/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›