E Martë, 3 Nëntor 2026

Kumbaro në shtypshkronjën në Gjirokastër: Model inovativ, shembull i përkushtimit social

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro së bashku me kryetarin e bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi zhvilluan një vizitë tek shtypshkronja “Argjiro Group”.

Kumbaro u shpreh se “Argjiro Group”, nuk është thjesht një sipërmarrje në fushën e shtypshkronjave, por vërtet një ekselencë e biznesit prodhues të Gjirokastrës që jo vetëm mbulon një pjesë të tregut në mbarë vendin, por edhe më tej në Ballkan e Itali.

Ministrja u shpreh se shtypshkronja shkëlqen me linjën e prodhimit, me ambientet dhe kushtet e punës që ofron, e mbi të gjitha me pagat dinjitoze për punonjësit që prej vitesh rriten profesionalisht tek.

Kumbaro u shpreh shumë e lumtur që pikërisht ky biznes në Gjirokastër përfaqëson edhe një model inovativ në përmbushjen e përgjegjësive të zgjeruara të prodhuesit – të cilën po përgatitemi që ta kalojmë edhe si një ligj që na përafron me vendet e Bashkimit Evropian – duke qenë shembull konkret i përkushtimit social që nga ana tjetër krijon të ardhura.

“Në mënyrën sesi ti punon, ti je pararendës ose i përgatitur për një ligj të ri që ne e kemi çuar në parlament, ligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesit”, që do të thotë kur një prodhues prodhon çfarëdolloj malli ose importon, ai mund të krijojë mbetje, siç krijon ti mbetje nga prodhimi që bën. Dhe bashkë me prodhimin, prodhuesi është i detyruar të kujdeset për mbetjet; t’i grumbullojë, t’i ambalazhojë, t’i shesë, t’i riciklojë dhe të mos krijojë mbetje në territor. Kjo është përgjegjësia e zgjeruar. Ti e shikon që ajo të sjellë prapë fitim”, tha Kumbaro.

Ndërsa drejtuesi i “Argjiro Group” u shpreh se e sheh më shumë si përgjegjësi sociale.

“Më shumë e shikoj si përgjegjësi sociale, plus që sjell edhe të ardhura”, tha ai.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›