Berisha: Dyfishojmë buxhetin për sportin, forcojmë edukimin sportiv në shkolla

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot programin e PD-së për Sportet. Berisha tha në fjalën e tij se do të dyfishojmë buxhetin për sportin.
Sipas kryedemokratit me këtë program “garantohet një riorganizim, një transformim tërësor i infrastrukturës ligjore, organizative të këtij sektori jashtëzakonisht të rëndësishëm për një vend dhe një shoqëri, siç është sporti”.
Berisha tha se “sporti do të ketë ligjin e vet, në të cilin do garantohen me ligj të gjitha burimet financiare transparente, të pastërta”.
“Të gjitha investimet, sponsorizimet e sektorit privat dhe shtetëror me inkurajim të madh nëpërmjet të ligjit të sponsorizimit, të angazhimit të biznesit në mbështetje”, u shpreh Berisha,
“Krahas kësaj, buxheti për sportin do të dyfishohet. Shanset e barabarta në raport me shtetin të klubeve, janë të domosdoshme për një garë të ndershme, fisnike të tyre brenda vendit dhe jashtë”, nënvizoi Berisha.
Berisha shtoi po ashtu se edukimi sportiv i nxënësve do të jetë shtyllë kryesore e sistemit arsimor.
“PD e konsideron sportin dhe edukimin të pandarë nga njëri-tjetri. Edukimi sportiv i nxënësve, i të rinjve do të jetë shtyllë kryesore e sistemit tonë arsimor. Është sot e njohur se çfarë rëndësie ka në suksesin, në rezultatin e individit, performanca e tij, përgatitja e tij psikologjike dhe fizike. Të dyja këto të lidhura shumë me sportin”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se degët e sportit do të gjejnë mbështetje.
“Do vendoset një proporcion i pranueshëm dhe i drejtë në mbështetjen e qeverisë dhe ministrisë së sporteve ndaj formave të tjera të sportit përveç futbollit. Shqipëria, pavarësisht vështirësive të saj, por ka arritur maja evropiane dhe botërore dhe ky është fakt i pamohueshëm jo në një, por në disa sporte të tjera”, u shpreh Berisha.
“Ndaj dhe ne i qëndrojmë mbështetjes së fuqishme dhe përjashtimit të mbështetjeve të njëanshme në financime dhe mbështetje të tjera për lloje të ndryshme të sportit”, nënvizoi Berisha.
/a.f/