E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër Projektligjit për Teatër

Aktorë, regjisorë, shkrimtarë dhe njerëz të tjerë që merren me teatër kanë nënshkruar një peticion kundër miratimit të Projektligjit për Teatër. Sipas tyre, ky projektligj e rrënon idenë për teatrin si një medium i pavarur artistik, e izolon dhe e bunkerizon teatrin kosovar dhe i diskriminon në rrafshin financiar teatrot e pavarura.

Artistët të shumtë dhe personalitete të shquara teatrore kanë nënshkruar një peticion kundër miratimit të Projektligjit për Teatër. Ky peticion i drejtohet Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Jakup Krasniqit, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini dhe Sport, kryetarëve të Grupeve Parlamentare si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

I hartuar dhe i propozuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, tashmë Projektligji për Teatrin është proceduar për miratim edhe në Kuvendin e Kosovës. Të shqetësuar me rrjedhën e deritashme të hartimit dhe të miratimit të këtij projektligji dhe shumë më tepër me formën dhe me përmbajtjen e tij, pas një analize të gjithanshme profesionale e juridike, nënshkruesit e këtij peticioni konstatojnë se ai jo vetëm që nuk i përmbush e as nuk i respekton normat juridike e as kriteret dhe standardet profesionale ndërkombëtare, por, për më tepër, me shumë nga nenet e tij e cenon dhe e rrezikon rëndë teatrin dhe përgjithësisht jetën krijuese teatrore në Kosovë.

Sipas tyre, gjatë hartimit dhe miratimit të tij është injoruar krejtësisht komuniteti artistik dhe nuk është zhvilluar qoftë edhe një debat apo dëgjim i vetëm publik gjatë hartimit në MKRS dhe para miratimit të tij në Qeverinë e Kosovës dhe në Kuvendin e Kosovës.

“Projektligji ka defekte të shumta konceptuale, juridike, profesionale e gjuhësore dhe, ndonëse është bërë në emër të përmirësimit të tij, është më i dobët dhe më i keq se ligji aktual në fuqi. Nuk i përfill praktikat bashkëkohore të organizimit e të funksionimit të teatrove perëndimore e botërore dhe, me frymën dhe mendësinë e tij provinciale, në vend se ta ndihmojë e ta rregullojë, e pengon dhe e çrregullon edhe më shumë jetën krijuese teatrore në Kosovë”, thuhet, midis tjerash, në peticion.

Sipas nënshkruesve të peticionit, projektligji e rrënon idenë për teatrin si një medium i pavarur artistik dhe, në vend se ta çlirojë atë nga monopoli politik dhe burokratik i MKRS-së, e thellon edhe më shumë këtë monopolizim, duke i dhënë Ministrit të Kulturës kompetenca dhe ekskluzivitet mbi jetën teatrore në vend.

“Në kundërshtim me praktikën e teatrove perëndimore, në të cilat Drejtori Artistik është një autoritet me atribute, kompetenca dhe përgjegjësi, e degradon dhe e zhvlerëson krejtësisht pozitën e Drejtorit Artistik jo vetëm me emërtimin e tij të tanishëm si ‘Udhëheqës Artistik’ (Neni 15), por edhe me anulimin dhe zhvlerësimin e pjesës më të madhe të kompetencave dhe përgjegjësive të tij të deritashme (Neni 15, pikat 2, 7, 8, 9, 10); E sforcon artificialisht, me autoritarizëm dhe përgjegjësi absolute, rolin, pozitën dhe kompetencat e një administratori si Drejtori i Përgjithshëm, duke i dhënë madje atij të drejtë që të përzihet dhe të ndërhyjë krejt arbitrarisht edhe në kompetencat dhe përgjegjësitë e Drejtorit Artistik”, thuhet në peticion.

Po ashtu, sipas këtij komuniteti të artistëve, ky projektligj e izolon dhe e bunkerizon teatrin kosovar, duke e imponuar dhe sanksionuar ligjërisht, në një proporcion diskriminues, mbizotërimin e dramaturgjisë vendore kundrejt dramaturgjisë botërore, pastaj e cenon të drejtën e organizimit e të funksionimit të pavarur të teatrove private e të kompanive teatrore, duke e përcaktuar strukturën apo hierarkinë drejtuese dhe mënyrën e miratimit të statutit të tyre.

Kur bëhet fjalë për konkursin për dramë kombëtare, në këtë peticion thuhet se ky konkurs në vend se t’i mbështesë dhe stimulojë, i diskriminon në rrafshin financiar teatrot e pavarura, kompanitë teatrore dhe përgjithësisht skenën krijuese teatrore të pavarur e jashtëinstitucionale.

Në fund, nënshkruesit e këtij peticioni kërkojnë organizimin e një debati të gjerë publik me artistët dhe ekspertët e teatrit në Kuvendin e Kosovës, në të cilin do të paraqiteshin idetë, vërejtjet, vlerësimet dhe sugjerimet rreth Projektligjit për Teatrin. Gjithashtu kërkojnë refuzimin dhe tërheqjen e versionit të tanishëm të Projektligjit për Teatrin nga Kuvendi i Kosovës si dhe krijimin e një komisioni të pavarur të artistëve dhe ekspertëve të teatrit në nivel të Kuvendit të Kosovës, i cili do të merrej me hartimin e një drafti të ri të Projektligjit për Teatrin.

Peticionin e kanë nënshkruar një numër i madh aktorësh, regjisorësh, shkrimtarësh, në mesin e të cilëve edhe Ramiz Kelmendi, Vehap Shita, Nexhmije Pagarusha, Mysherefe Llozana, Sulejman Lokaj, Melehate Qena, Rushit Ramabaja, Yllka Mujo, Bajrush Mjaku, Afrim Kasapolli, Drita Krasniqi, Shkëlzen Maliqi, Blerta Zeqiri, Alban Ukaj, Arian Krasniqi, Jeton Neziraj, Bekim Lumi, Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›