E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtarët e Ramës rezolutë: Të hyjmë në Kuvend më 16 nëntor

Pesë deputetët e lëvizjes për mendimin ndryshe i bëjnë thirrje kolegëve të tyre socialistë që të futen javën e ardhshme në Parlament, duke përfituar nga rasti i vendimit të 27 vendeve të BE-së për aplikimin e Shqipërisë në BE. Duke konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm historik, deputeti i PS-së, Marko Bello, tha se janë duke përgatitur një projektrezolutë përmes së cilës do t‘i kërkojnë grupit parlamentar që të kthehet që në javën e ardhshme në Kuvend. Në rezolutë thuhej se "ne, një grup politikanësh të opozitës; në respekt të ëndrrës dhe aspiratave të shqiptarëve për një Shqipëri europiane; jemi me një konsensus maksimal politik dhe angazhim e mbështetje të gjerë nga publiku për realizimin e objektivave madhorë të integrimit të vendit tonë në NATO e BE; me vlerësimin maksimal për ndihmën dhe mbështetjen e institucioneve të BE dhe të vendeve të saj anëtare për kapërcimin e tranzicionit të vështirë nga sistemi komunist në atë demokratik, dhe më tej drejt anëtarësimit në BE; mirënjohës për vullnetin e të gjitha vendeve europiane për të bërë Shqipërinë përfundimisht pjesë të një procesi të pakthyeshëm anëtarësimi në BE". Ata shprehin bindjen te perspektiva e qartë europiane ka nxitur dhe përshpejtuar demokratizimin e vendit, vendosjen e ekonomisë së tregut dhe respektimin e shtetit ligjor e të drejtave të njeriut, si dhe ka ndikuar në sigurinë e stabilitetin politik të vendit, si dhe në cilësinë e shpejtësinë e reformave integruese e të zhvillimit social ekonomik.

Deputetët insistojnë në kërkesën për një angazhim serioz e efikas të qeverisë në përmbushjen e të gjitha kritereve e detyrimeve dhe për rolin e pazëvendësueshëm të opozitës për realizimin e tyre me konsensus të gjerë. Ata thonë se janë të vetëdijshëm për koston jo pozitive që ka shkaktuar mosarritja e të gjitha standardeve në nivelin e tyre maksimal në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe situata aktuale parlamentare me bojkotin nga opozita. "U kërkojmë të gjithë deputetëve të opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit për të qenë prezent në seancën kuvendore të datës 16 nëntor 2009 (me rastin e marrjes së vendimit të KE lidhur me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian) me synimin për ta bërë grupin kuvendor të opozitës pjesëmarrëse në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët", kërkohet në rezolutë. Duke demonstruar, vijojnë deputetët, se opozita aktuale ashtu si në të kaluarën, por edhe në të tashmen e në të ardhmen në drejtimin e vendit ka vendosur sistematikisht dhe vendos interesat madhore të Shqipërisë e të shqiptarëve mbi gjithçka duke synuar njëkohësisht të arrijë pa kompromis e me konsensus standardet europiane dhe të plotësojë të gjitha detyrimet që rezultojnë nga ky proces përmes pjesëmarrjes së saj aktive dhe veprimeve konstruktive institucionale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›