Kundërshtohet ndërtimi i varrezave në Lushnje, banorët: Nuk është bërë asnjë studim, na rrezikohet shëndeti

Për të dytën herë, banorët e Lushnjës kundërshtojnë ndërtimin e varrezave te reja publike. Këtë herë pas banorëve të lagjes Kadri Qystri, kundërshtojnë edhe banorët në Virovë.
Nëpërmjet një peticioni të firmosur nga 102 banorë të zonës, ata i drejtohen avokatit të popullit, prefektit të qarkut Fier dhe kryetares së bashkisë, ku rendisin arsyet e kundërshtimit.
Sipas tyre ndërtimi i varrezave i rrezikon shëndetin dhe jetesën e tyre, sepse nuk është bërë asnjë studim dhe asnjë konsultim publik.
Në varrezat e vjetra të qytetit nuk ka me vende. Bashkia me vendim të këshillit bashkiak ka vendosur një tjetër parcele për varrezat, e cila sipas banorëve të zonës nuk përmbush asnjë kriter për këtë proces.
Mediat kërkuan informacion në bashkinë e Lushnjës për këtë situatë, por asnjë specialist drejtorie nuk mori përsipër të dalë e të flasë publikisht në lidhje me problemin.
/rtsh.al/