Kundërshtoi mosfillimin e hetimeve për ‘Nesti Angonin’, Gjykata e Lartë i jep të drejtë Erion Veliajt dhe urdhëron Gjykatën e Tiranës që të shqyrtojë çështjen
Gjykata e Lartë ka vendosur që Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë të shqyrtojë ankimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj lidhur me kallëzimin e nënshkruar nga personi i identifikuar si “Nesti Angoni”, mbi bazën e të cilit nisi procedimi penal i SPAK ndaj tij.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë zgjidhi mosmarrëveshjen e kompetencës mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatës së Tiranës, duke përcaktuar se kjo e fundit duhet të shqyrtojë kërkesën e Veliajt.
Veliaj ka kundërshtuar vendimin për mosfillimin e procedimit penal lidhur me kallëzimin e tij për këtë çështje, duke kërkuar vijimin e hetimeve.
Erion Veliaj kërkoi hetimin e “Nesti Angonit” për falsifikim dokumentesh, pasi SPAK nisi hetimet ndaj tij bazuar në një dokument të paraqitur me këtë emër.
Prokuroria e Tiranës vendosi të mos regjistrojë procedim penal, pasi personi nuk rezultoi në regjistrin e Gjendjes Civile dhe nuk u identifikua se kush fshihej pas këtij identiteti.
Veliaj ankimoi vendimin, ndërsa Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen GJKKO-së, e cila gjithashtu vlerësoi se nuk ishte kompetente dhe iu drejtua Gjykatës së Lartë për zgjidhjen e konfliktit të kompetencës.