E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohej nga Spanja për vjedhje me dhunë, arrestohet 31-vjeçari shqiptar në Muriqan

Një 31-vjeçar nga Mamurrasi, i kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia spanjolle për vjedhje me dhunë, është arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit, teksa po tentonte të dilte nga Shqipëria.

policia

I riu, me inicialet A. T., rezulton se përdorte edhe dy identitete të tjera, A. B. dhe A. C. Ai u ndalua pas bashkëpunimit mes Policisë Kufitare të Muriqanit dhe Interpol Tiranës.

Sipas të dhënave të Policisë, ndaj 31-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga Interpol Madridi, pasi Gjykata e Instruksionit nr. 4 në Sabadell të Spanjës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, me vendim të datës 28 nëntor 2025.

Ai kërkohet nga autoritetet spanjolle për veprën penale të vjedhjes me dhunë.

Pas ndalimit në kufi, 31-vjeçari iu dorëzua strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, të cilat kryen arrestimin e përkohshëm të tij me qëllim ekstradimin.

Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, po vijon procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Spanjës, ku do të përballet me drejtësinë për akuzën që rëndon ndaj tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›