E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtuan patrullën, Policia sqaron incidentin e ndodhur me avokatin në kryeqytet

Një ngjarje është regjistruar mbrëmjen e sotme në në Rrugën e Kavajës, në Tiranë.

Rreth orës 20:00, një patrullë e Policisë së Komisariatit Nr. 2, e angazhuar në kontrollin e automjeteve të parkuara gabimisht në korsinë e dedikuar, u përfshi në një situatë që solli reagimin zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, patrulla e Komisariatit të Policisë Nr. 2 ishte duke kryer detyrën për të marrë masa ndaj automjeteve të parkuara në korsinë e dedikuar, kur një taksi u ndal pas mjetit të Policisë.

“Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi A. G., 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën,  për të vijuar lëvizjen.”- thuhet në njoftim

Punonjësit e rendit i kërkuan drejtuesit të taksisë të vijonte lëvizjen, por nga automjeti doli qytetari Altin Gonxhe, 56 vjeç, me profesion avokat, i cili sipas Policisë filloi të ofendonte dhe nuk iu bind urdhrit të punonjësve të rendit.

Në këto kushte, Gonxhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit Nr. 2, ku sipas njoftimit vijoi të kundërshtonte punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë thekson se është e angazhuar maksimalisht për të respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe për të përmbushur detyrën që i ngarkon ligji.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›