Kupa e Kombeve të Afrikës mund të mos zhvillohet, Maroku zbret në rrugë pas shpenzimeve të tepruara të parave publike në futboll

Në shumë qytete të Marokut, vendit organizator të Kupës së Kombeve të Afrikës 2025 (21 dhjetor-18 janar), janë ndezur protesta të dhunshme për shkak të shpenzimeve që ka bërë qeveria e shtetit në fjalë për organizimin e eventit.
Protestuesit kanë zbritur në sheshe pasi kërkojnë më shumë vëmendje nga ana e qeverisë në sektorë siç janë shëndetësia, arsimi dhe transporti publik.
Javën e kaluar, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Rachid El Khalfi, tha se 409 persona ishin arrestuar në protesta, të cilat janë shndërruar në të dhunshme në disa zona.
Qeveria e Marokut konfirmoi se 20 protestues dhe 260 oficerë policie ishin plagosur, ndërsa disa automjete policie ishin djegur gjithashtu në përleshje. Tre persona u qëlluan gjithashtu për vdekje kur u përpoqën të sulmonin një stacion policie.
“Jemi të bindur se Kupa e Kombeve të Afrikës do të zhvillohet sipas planit. Maroku është plani A, Maroku është plani B dhe Maroku është plani C. Konfederata Afrikane e Futbollit do të bashkëpunojë dhe do të punojë me qeverinë dhe të gjithë qytetarët e Marokut për të pritur AFCON-in më të suksesshëm në histori”, tha kreu i Konfederatës Afrikane të Futbollit, Patrice Motsepe.