Kupa e Ligës Angleze njeh finalisten e parë, është Çelsi

Kupa e Ligës Angleze ka njohur të mërkurën në mbrëmje finalisten e saj të parë dhe ajo është Çelsi, që ka mposhtur në dy duelet e gjysmëfinaleve, Totenhemin. Në takimin e parë të këtij çiftit të parë, blutë londinezë patën fituar 2-0 ndaj rivalëve kryeqytetas, duke hedhur një hap drejt finales. Dhe skuadra e trajnerit Tomas Tuhel nuk ka lëshuar as në takimin e dytë, duke kaluar në epërsi pas 18 minutash lojë, me një goditje të saktë me kokë të Antonio Rydigerit pas një goditjeje këndi, 1-0 që është dhe rezultati i kësaj sfide të dytë.
Sidoqoftë, Totenhemi do të luftojë dhe në minutat e fundit të pjesës së parë, do të fitojë një 11-metërsh, por, pas konsultimit me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), kryesori Andre Mariner do ta shndërrojë nga goditje nga pika e bardhë në goditje të lirë, pasi ndërhyrja e parregullt kishte ndodhur jashtë zonës.
Kështu me epërsinë minimale të Çelsit do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, skuadra vendase, e drejtuar nga trajneri italian, Antonio Konte, është sërish e pafat, pasi në minutën e 56-të, kryesori Andre Mariner do ta shndërrojë vendimin për goditje nga pika e bardhë në rivënie fundore, sërish pas pas konsultimit me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR).
Dhe ky i fundit do të kthehet në makth për Totenhemin, pasi në minutat e 64-t, do të anulojë edhe golin e shënuar nga Herri Kejn. Çelsi e mbron fitoren deri në fund dhe siguron vendin në finale, aty ku pret të njohë edhe kundërshtaren.
Kjo veprimtari madhore sportive ndërkombëtare është një ekskluzivitetet e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar dhe, sikundër të mërkurën, edhe të enjten në RTSH Sport mbrëmja do t’i kushtohet takimit të parë të çiftit tjetër i gjysmëfinales, që supozohej të luhej të mërkurën e shkuar, Liverpul-Arsenal, por u shty për shkak të rasteve të shumta me “Covid-19” të skuadrës vendase. Kështu, takimi i parë do të luhet të enjten, ndërsa ai i kthimit më 20 janar 2022.