“Kupa e Promocionit”, futbolli i femrave mbërrin në Shqipëri

"Kupa e promocionit" është i pari aktivitet i mirëfilltë i futbollit të femrave në Shqipëri. Pas disa tentativave lokale për organizime të aktiviteteve të moshave, kjo është përpjekja e parë për të institucionalizuar një veprimtari sportive të këtij lloji në Shqipëri. Aktiviteti është ide e gazetarit të njohur Genc Ymeraj, i cili në mënyrë pasionante, pas shumë përpjekjeve e vështirësive, arriti të sigurojë pjesëmarrjen e 4 skuadrave të mirëfillta të femrave. Në një intervistë për gazetën "Albania" ai shpjegon sesi do të zhvillohet "Kupa e Promocionit", ekipet pjesëmarrëse, vecoritë e vlerat e pritshme të kësaj veprimtarie që zhvillohet për herë të parë dhe synimet për të ardhmen...
Futboll femrash në Shqipëri... Shumëkujt mund t'i duket një ide dhe jo një realitet. A ka ndonjë traditë, sado modeste, në këtë drejtim?
Në fakt duhet pohuar se i pari qytet që ka patur një ekip futbolli në vendin tonë është qyteti i vogël i Rubikut. Rreth vitit 1992 në qytetin me 4 mijë banorë u ngrit i pari ekip i femrave. Ecuria e tij ishte e kënaqshme, aq sa 5 vite më vonë, ekipi mënjanonte pa vështirësi ekipin e meshkujve të qytetit. Por mungesa e një gare mes ekipeve të qyteteve të ndryshme e tkurri edhe ekipin e Rubikut. Tani ky ekip është ringritur pas këmbënguljes sonë dhe shefit të sporteve që në qytet njihet si "ministër i Sporteve" të Rubikut, Viktor Pepa. Ky është dhe ekipi i parë pjesëmarrës në Kupën e Promocionit.
Po për ekipet e tjera, c'mund të thoni?
Tashmë ka pesë vjet që në kryeqytet ka nisur të stërvitet e të luajë një ekip futbolli femrash. Lojtaret e para ishin përgjithësisht vajza të Akademisë së Sporteve, të cilat për një kohë të gjatë ëndërruan të pushtonin fushat e mëdha të futbollit. Është për të ardhur keq që pak prej tyre janë në ekipin e sotëm të Tiranës. Ndërkohë, prej 3 vitesh një tjetër ekip futbolli femrash "lulëzon" në Juban të Shkodrës. Afro 12 vajza stërviteshin në mënyrë të rregullt nga Marin Jaku, që sot është trajner i ekipit që përfaqëson Shkodrën. Ekipi i katërt vjen nga Korca. Një trajner pasionant si Koco Dino organizon kampionate lokale. Kjo e bëri krejt të lehtë ngritjen e një ekipi konkurrues edhe në rang vendi. Ndër 4 ekipet që përbëjnë bazën e aktivitetit ka elemente të talentuara. Mosha e vajzave varion nga 16 deri 30 vjec.
Si do të organizohet kjo veprimtari?
Nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor nga garat e tjera sportive, me karakter konkurrues. "Kupa e promocionit" do të jetë një minikampionat futbolli. Ekipet pjesëmarrëse do të do të luajnë për 3 ditë, me sistem rrethi, për të përcaktuar fituesin. Është përpjekja e parë për të institucionalizuar një veprimtari të futbollit të femrave në Shqipëri.
A keni gjetur mbështetje nga strukturat shtetërore, apo organizma të tjerë? Cfarë synoni për të ardhmen?
Kemi përkrahjen e zyrtarëve të lartë në FSHF, të cilët do ta ndjekin drejtpërdrejt e do ta vëzhgojnë aktivitetin tonë, si dhe të strukturave të pushtetit lokal në Sarandë. Kemi gjithashtu mbështetjen financiare nga AMC-ja dhe Raiffeisen Bank si dhe nga sponsorë të tjerë më të vegjël, të cilëve u jemi mirënjohës. Ideja ime është që futbolli i femrave të fillojë të luhet shumë shpejt edhe në fushat e mëdha. Mbarëvajtja e aktivitetit do të ishte një ogur i mirë për të organizuar të tjera kupa dhe ndoshta shumë shpejt një kampionat femrash në Shqipëri. Pas kësaj, Shqipëria do të ketë një përfaqësuese të femrave për fushat e mëdha. Shpresohet që në shtator përfaqësuesja e Shqipërisë në futbollin e femrave të luajë disa takime miqësore në Maqedoni, me përfaqësuesen vendase dhe ekipe të ndryshme. Maqedonia zhvillon një kampionat të rregullt të futbollit të femrave dhe madje përfaqësohet edhe në gara europiane të këtij lloji.
Intervistoi: Zimo KRUTAJ