E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Shqipërisë, përcaktohenekipet gjysmëfinaliste

TIRANE- Tirana, Vllaznia, Besa dhe Dinamo janë katër skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja më e fortë ka qenë ajo e mbrëmjes mes Dinamos dhe Shkumbinit, ku blutë janë kualifikuar pas fitores me penallti. Takimi i kthimit çerekfinal ka dhuruar emocione të shumta në impiantin kombëtar, ndërkohë që në fund, gjithçka është vendosur nga 11-metërshat. Blutë janë treguar më të saktë, duke realizuar 12 të tillë, ndërkohë që për peqinasit ka gabuar Gjyla. Heroi i ndeshjes për Dinamon u bë portieri Alban Hoxha, i cili shënoi edhe penalltinë e fundit, duke e çuar skuadrën në gjysmëfinale të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në vend. Në fakt, përballë Shkumbinit nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse Dinamo rrezikoi të eliminohej, ashtu si në sezonin e shkuar. Blutë kanë shënuar golin e fitores 2-1 vetëm në minutën e 94-t, duke e çuar takimin në kohën shtesë. Peqinasit kanë qenë vetëm një minutë larg turit gjysmëfinal, por në fund nuk ia kanë arritur kësaj. Për t’u theksuar edhe një episod i deputetit Dash Sula në tribunë. Ai ka patur një konflikt me disa tifozë të Dinamos, gjë që ka acaruar jo pak gjakrat. Një moment që tregoi se ligjvënësi mbetet ende problematik në stadiume.
TIRANA-BYLIS
Ndërkohë, asnjë problem për Tiranën, që pas 5 barazimeve radhazi pa gol në kampionat, sot ka shkatërruar 5-1 Bylisin në takimin e kthimit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Në “Selman Stërmasi”, bardheblutë kanë nxjerrë “inatin” me ekipin ballshiot, që në ndeshjen e parë arriti të fitonte falë një penalltie tepër të dyshimtë të akorduar nga arbitri Pajtim Lapi. Pritej një përballje e fortë për skuadrën kryeqytetase, por në fakt gjithçka ka rezultuar si një shëtitje. Mbrojtësi Dushku ishte i pari që gjeti rrugën e golit, ndërkohë që në pjesën e parë Pero Pejiç arriti të dyfishonte shifrat, duke e çuar skuadrën më të qetë në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë, Hyka, Gozdenoviç dhe Andi Lila e çuan ndeshjen në 5-0, ndërkohë që në fund ishte kapiteni i Bylisit Dimo ai që shënoi golin e vetëm me penallti për skuadrën e tij.
LAÇI-VLLAZNIA
Vllaznia ka siguruar qetësisht kalimin për në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë, duke fituar edhe në ndeshjen e kthimit në Laç. Shkodranët kanë triumfuar 4-2 në transfertë, duke e çuar në total 6-2 fitoren ndaj kurbinasve. Dragiçeviç realizoi golin e parë të takimit për Laçin, duke krijuar idenë e një përmbysjeje të madhe. Por, Vllaznia e mbylli pjesën e parë në avantazh me golat e Shubinës dhe të Sukajt, duke e bërë misionin e laçianëve, thjesht të pamundur. Në pjesën e dytë, shfaqja e shkodranëve vijoi me dy gola të tjerë, ku sërish protagonist ka qenë Xhevahir Sukaj. Më përpara, Laçi kishte barazuar përkohësisht shifrat me Milen, por gjithsesi nuk arriti t’i bënte dot ballë presionit të Vllaznisë.
BESA-SKENDERBEU
Besa dhe Skënderbeu kanë zhvilluar një ndeshje të bukur sot në Kavajë, por në fund rezultati 2-2 ka çuar në gjysmëfinale skuadrën e Gert Haxhiut. Fitorja 3-1 në Korçë e bënte gjithçka një formalitet për kavajasit, të cilët gjithsesi, ashtu si skuadra e Duros, e kanë shfrytëzuar këtë ndeshje si një test të mirë për takimet e fundjavës në kampionat. Shkëmbi me penallti dhe Gjergji Muzaka realizuan për Skënderbeun, ndërkohë që Shameti dhe braziliani Dos Santos ishin autorët e golave për skuadrën e Besës. Në fushë ndërkohë është parë një Skënderbe tërësisht i pamotivuar, një gjë e kuptueshme kjo duke parë se korçarët duhet të shënonin patjetër 3 gola. Si rrallëherë, drejtuesit e klubit korçar kanë munguar në stadium.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›