Kupa, sot ndeshjet e turit të dytë

Mes 16 skuadrave të mbetura në garë, janë të gjitha elitaret (12 klubet që në këtë sezon militojnë në Kategorinë Superiore) dhe katër ekipe nga Kategoria e Parë: Skënderbeu, Kastrioti, Burreli e Besëlidhja.
Sfida më interesante është padyshim ajo që do të luhet në Grupin A, ku Vllaznia udhëton drejt Durrësit për të luajtur me Teutën vendase. Pasi kanë marrë kryesimin e kampionatit, tashmë shkodranët e drejtuar nga Agim Canaj kërkojnë të konfirmohen edhe në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend.
Megjithatë, ata duhet të bëjnë llogaritë me formën e jashtëzakonshme që po kalojnë “djemtë e detit”. Përballja e fundit ndërmjet dy skuadrave është regjistruar vetëm 17 ditë më parë (më saktësisht më 15 nëntor), ku Vllaznia fitoi me vështirësi 2-1, në javën e 11 të Superiores. Në “Loro Boriçi” vendosi goli i realizuar në kohën shtesë nga mbrojtësi i Kombëtares, Elvin Beqiri. Përveç rritjes së dukshme në krahasim me fillimin e sezonit, durrsakët bëhen të frikshëm edhe për shkak të fitores së fundjavës, në fushën e Tiranës. Për ironi, ishte ky rezultat ai që i ktheu kuqeblutë në krye të tabelës pas dhjetë javëve dominim të bardhebluve. Por, në Kupë, vetëm njëra prej tyre do të kualifikohet në çerekfinale. Mjaft interesante janë edhe dy sfida të tjera: Skënderbeu-Dinamo dhe Apolonia-Shkumbini. Kampionët e Shqipërisë nuk fitojnë prej katër javësh dhe ndeshja me kryesuesit e Kategorisë së Parë (dhe pretendentët kryesorë për t’u rikthyer në Superiore), vjen në një moment shumë delikat. Në takimin e fundit, Kastrioti pret në fushën e tij Besën e Kavajës.
Në Grupin B, Tirana do të kërkojë të dalë nga kriza në Lushnjë. Të paktën në letër, ndeshja cilësohet e lehtë për skuadrën e Slishkoviç, edhe sepse “lagunarët” janë më të përqendruar të mbijetojnë mes më të mirëve.
Megjithatë, asgjë nuk mund të thuhet me siguri. Flamurtari luan në fushën e Bylis, ndërkohë që Elbasani dhe Partizani përballen me Besëlidhjen dhe Burrelin e një kategorie më poshtë.
Për të kuqtë, një tjetër humbje do të ishte katastrofike. Ata klasifikohen të fundit në kampionat dhe po kalojnë krizën më të madhe në historinë e klubit.
Largimi nga elita e futbollit shqiptar duket fare pranë, por në asnjë mënyrë skuadra e Shpëtim Duros nuk mund t’i lejojë vetes që të eliminohet nga Kupa. Por, në Burrel do të jetë e vështirë që trajneri i “demave” të motivojë skuadrën të luajë për fitore. Kjo pasi pothuajse të gjithë futbollistët po kërkojnë largimin nga skuadra, për shkak të mungesës disa mujore të pagave.
AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code