E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi: Zgjedhjet pa efekt juridik në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, i ka deklaruar BBC-së se zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës nuk kanë efekt juridik dhe nuk mund të ndërtohen institucione mbi bazën e tyre. Ai ka thënë se legjitimimi i përfaqësuesve të serbëve të Kosovës mund të bëhet vetëm përmes procesit të ligjshëm zgjedhor të organizuar në Kosovë.

Zoti Kuqi ka deklaruar se fitorja e demokratëve në Serbi do të mund të ndihmojë proceset integruese në BE të të gjithë rajonit.

Arbër Vllahiu i BBC-së e pyeti zotin Kuqi se cila është rëndësia e fitores së bllokut demokratik në Serbi për Kosovën dhe rajonin

Kuqi: Vullneti i qytetarëve të Serbië në cdo rast do të respektohet, besoj, nga bota demokratike dhe nga Kosova. Në rastet kur qeveritë rreth nesh, e në këtë rast edhe qeveria e Serbisë, do të jenë demokratike dhe proevropiane të integrimeve, do të jetë më lehtë për qytetarët e Serbisë, por me siguri se do të jetë edhe më bashkëpunuese edhe për rajonin, përfshirë edhe Kosovën dhe të ardhmen për proceset integruese në BE.

BBC: Por zgjedhjet serbe janë zhvilluar edhe në territorin e Kosovës. Disa herë keni thënë gjatë javëve të fundit se ato janë të paligjshme. A është minuar procesi politik në Kosovë me zgjedhjet lokale serbe?

Kuqi: Jo, ka qenë një përpjekje e sërishme për të treguar autoritetin dhe sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën me krijimin e iluzionit mbi qytetarët serbë të Kosovës. Këto janë zgjedhje ilegale të proklamuara nga ne dhe bashkësia ndërkombëtare, pa ndonjë efekt juridik dhe nuk do të ndërtohen institucione mbi bazën e këtyre zgjedhjeve. Pra ka qenë një farsë dhe shumë shpejt do të shihet se ka qenë edhe një lojë politike me vullnetin e disa qytetarëve, që kanë një përceptim të ndryshëm për Kosovën.

BBC: Por zoti zëvendëskryeministër serbët e Kosovës thonë se kanë thënë se kanë marrë pjesë në zgjedhje për të legjitimuar përfaqësuesit e tyre që do të bisedojnë me përfaqësues legjitim të shqiptarëve të Kosovës.

Kuqi: Sa herë që dikush do që t'i legjitimojë përfaqësuesit e vet atëherë këtë duhet ta bëjë përmes procesit ligjor dhe këto zgjedhje kanë qene tërësisht ilegale. Ata do të kenë rastin të marrin pjesë në procesin e zgjedhjeve që do të bëhen në Kosovë, nga rregullat e Kosovës dhe nga njerëzit e Kosovës. Dhe vetëm atëherë do të jenë ligjore dhe legjitime.

BBC: Dhe, mund të shohim pas gjithë këtyre proceseve zgjedhore një relaksim mes Kosovës dhe Serbisë?

Kuqi: Kosova është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet, përfshirë edhe Serbinë. Në këtë drejtim Kosova do ta jap kontributin e saj, do të bashkëpunojë ngusht me faktorin ndërkombëtar, por në cdo rast si dy shtete të pavarura dhe sovrane ato mund të lidhin marrëdhënie të partneritetit të ndërsjellë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›