100% Rezarta
Pas tre muaj pune intensive, në atelienë e saj, stilistja Rezarta Skifteri prezanton sot në mbrëmje 40 veshje të koleksionit të saj të ri "Haute Couture 2008". Këtë herë është frymëzuar nga moda e viteve '30. Fjongo të të gjitha përmasave, dantella, flutura, bizhu të mëdha. Janë këto disa elementë që sundojnë në sfilatën e sotme që zhvillohet në orën 19.30 në Hotel Sheraton. Për t'u veçuar janë punimet e dorës, të realizuara nga vetë stilistja. Por përveç fustanëve, pantallonave, zhuponëve, manteleve, fjongove e bizhuve, Skifteri ka stiluar vetë dhe sandalet që shoqërojnë 40 veshjet.
Koleksioni synon të sjellë sensualitet, trasparencë, por deri aty ku zbulimi i hireve nuk duket i tepruar. Stilistja preferon që në veshjet e saj hiret femërore të lexohen natyrshëm.Modelet që ka zgjedhur për të prezantuar 40 vjeshjet e saj, janë vajzat e njohura të pasarelave. Krahas modeleve të përzgjedhura në Tiranë, për sfilatën e Skifterit do të vijnë edhe pesë modele nga Prishtina, të cilat do të jenë kështu krah Linda Podës, Jorida Malltezit, Silvi Skënderajt, Rezarta Shkurtajt, Orinda Hutës etj.Përzgjedhja nuk është bërë e rastësishme, pra duke piketuar thjesht vajzat që dinë të sfilojnë bukur. Ndryshe nga sfilata e fundit, ku në pasarelë u ngjit femra e "fortë", në veshjet e së cilës sundonin zinxhirët e perçinat, këtë herë prezantohet një femër më e sofistikuar, gjithë ojna. Kjo sfilatë vjen plot dhjetë vjet pas sfilatës së parë të stilistes, por këtë herë jo më si një studente që mbron diplomën, por si një profesioniste, që pëlqen të provokojë. Në listën e materialeve që përdor për krijimet e saj hyjnë që nga gazetat, filmat, shkarpat, tek teminat e gurët.