Kur Kokëdhima ringjalli Berishën në vitin 2000-2001
Nga Ilir Yzeiri
Panorama e medias shqiptare, në këta njëzet e ca vjet, qoftë ajo e shkruar, qoftë ajo audiovizive është një realitet ende i panjohur. Personalisht bëj pjesë ndër ata të paktë gazetarë aktivë edhe sot që u angazhuan në median e pasdiktaturës që në fillim. Pas fitores së PD-së në zgjedhjet e 22 marsit 1991, me interesimin direkt të Sali Berishës u emërova kryeredaktor i gazetës Zëri i Rinisë, e cila, ashtu si shumë të tjera gazeta që ishin pronë e organizatave të masave, u zhdukën nga tregu pasi u shpërfytyruan nga orekse të njerëzve të uritur për pak qytet. Por kjo është një histori më vete. Le të kthehemi tek argumenti ynë.
Koçoja personazhi i peshkopatës
Këto ditë, opinioni është bombarduar thuajse përditë me emrin e Koço Kokëdhimës. Kandidimi i tij në Vlorë dhe përfshirja në listën e PS-së që drejtohet nga Edi Rama, solli reagime nga më të ndryshmet dhe i përfshiu thuajse të gjithë aktorët e opinionbërjes. Personalisht i justifikoj reagimet e miqve të mi dhe gazetarëve virtuozë e mbrojtës të opinionit publik, Mero Baze e Mustafa Nano, ashtu siç nuk e mirëkuptoj Kokëdhimën me përgjigjet që u dha atyre. Në të njëjtën kohë mbështes tërësisht vështrimin e gazetarit me ndershmërinë më të madhe intelektuale në vend, Andrea Stefani, i cili, në kuadër të aksiomës për rotacion të pushtetit, e përligjte kandidimin e Kokëdhimës. Por, duke dëgjuar sharjet, fyerjet, denigrimin që i bën nga mëngjesi në darkë Sali Berisha dhe tellallët e tij Koço Kokëdhimës, kam mbetur pa frymë në shumë raste. Mirëpo, vetëm një çast se pastaj jam bindur përsëri se Berisha është politikani më i pabesë dhe më i pasinqertë në këtë vend. Politikani Sali Berisha e ka shkelur me këmbë njëqind herë njeriun Sali Berisha dhe këta të dy, Berisha politikan dhe Berisha njeri përbëjnë një dualitet amoral dhe johuman deri në skajin më të ulët. Pse? Do ta shpjegoj më poshtë. Po le të përmendim me shpejtësi disa episode të tjera. Me Koço Kokëdhimën kemi qenë bashkë studentë në të njëjtën periudhë, 1979-1983. Edhe godinat i kemi pasur ngjitur, 12-a ishte e Fakultetit të Shkencave dhe 13-a e Filologjisë. Në atë kohë në Qytetin Studenti ishte edhe biblioteka e kinoklubit Studenti, të cilën ne e shfrytëzonim në ndonjë rast për të marrë ÇRNS-të (çështje të revolucionit dhe ndërtimit socialist) e famshme që na duheshin për seminaret e PPSH-së. Kjo sallë, për shkak se shfrytëzohej nga studentët e matematikës, thirrej edhe peshkopatë, në kuptimin që peshkopata ishte vendi i zymtë ku studiohej ditë dhe natë. Njeriu që e hapte dhe e mbyllte peshkopatën, ishte Koço Kokëdhima, studenti i matematikës, që njihej nga të gjithë si një ndër më të mirët e kohës. Jo vetëm aq, po ky student nisi edhe një fakultet tjetër, atë të gjeologjisë dhe e përfundoi me të gjitha dhjeta edhe atë. Kur dëgjova atë ditë Kastriot Islamin duke gënjyer se i ka vënë 4 Kokëdhimës dhe ai ndaj e sulmon, më erdhën zorrët te gryka. Koçoja, për ne studentët e letërsisë, ishte bërë i famshëm edhe se dinte vëllimin me poezi të zgjedhura të Eseninit, thuajse të gjithin përmendësh. Më tej rrugët tona u ndanë. Koçoja kishte energji të jashtëzakonshme dhe ishte me një vullnet të paimagjinueshëm. Rasti e solli që të takoheshim prapë, por këtë radhë ai ishte një nga sipërmarrësit më seriozë të Shqipërisë dhe, për më tepër, kishte ndërtuar kompaninë e botimeve Spektër që përmblidhte, veç të tjerash, revistën Spektër dhe gazetën Shekulli. Jemi në vitin 2000 dhe në atë kohë drejtor i këtyre botimeve ishte Preç Zogaj, një nga figurat më të njohura të letërsisë dhe medias shqiptare. Vitet 1998, 1999 kanë qenë vitet më të vështira për gazetarët që rrinin pranë Berishës. Ata ishin tërësisht pa punë dhe mediat e reja që po krijoheshin, nuk i qasnin thuajse fare. Shqipëria ishte ndarë si me thikë dhe nga njëra anë ishte Koha Jonë dhe Klan, simbolet anti-Berishë par exellence, në anë tjetër RD, Albania, TV Shijak dhe përpjekjet e Mero Bazes për të ndërtuar një radio, pastaj një agjenci lajmesh, por pa asnjë lek, pa as më të voglën mbështetje financiare. PD-ja, pas ardhjes së Berishës nga Presidenca, kishte në arkë më pak se 100 dollarë. 4000 dollarët e fundit ishin shpenzuar nga kryetari i PD-së në ikje, Tritan Shehu për të rregulluar makinën në Greqi. Nuk kishte asnjë mundësi për të punuar. Edhe Ylli Rakipi ishte shpallur armik i PD-së dhe nuk fliste me Berishën. Kishte mbetur vetëm RD-ja që e paguante një shkrim 500 lekë. Në këto kushte punova për një farë kohe tek Albania si gazetar dhe një ditë u binda se duhet të gjeja diçka më serioze. Vendosa të takoj Preçin dhe i kërkova që të punoj në revistën Spektër. Ai, pasi bisedoi me Koçon, më ktheu përgjigje pozitive dhe kështu u ritakova përsëri me Kokëdhimën, por tani në role krejtësisht të ndryshme.
Kokëdhima e nxjerr nga strofulla Berishën dhe i jep darkë në Rogner
Pas më pak se tre ose katër muaj në revistë, nisa të botoj edhe komente në gazetën që ishte bërë më e madhja, më autoritarja, më korrektja në Shqipëri. Komentet e mia ishin të gjitha me frymë pro opozitare dhe nuk kishin as edhe një censurim. Në këtë periudhë kam njohur Mustafa Nanon, që ishte bërë një nga analistët më të njohur në vend. Mirëpo Kokëdhima kishte plane të tjera dhe pas radios kërkonte të hapte edhe një TV, ndaj më shkëputi nga puna si gazetar dhe punoja pranë tij në grupin e këshilltarëve të medias. Gazeta Shekulli, megjithëse ndihej se ishte e majtë, përsëri kritikonte dhe investigonte aferat korruptive të qeverive socialiste. Në bisedat pa fund që bënim me Koçon deri në të gdhirë, sidomos në lulishten e Rognerit apo në shtëpinë e tij, ai, më se njëherë, më ka thënë se po jetojmë në një situatë të rrezikshme dhe këta (socialistët) duan të eliminojnë opozitën. Ne nuk duhet ti lejojmë, thoshte Koçoja duke marrë shpeshherë edhe rolin e një lideri të rëndësishëm. Nuk ka demokraci në qoftë se nuk forcojmë opozitën, përsëriste ai. Sali Berisha është opozita sot, ndaj ai duhet respektuar dhe duhet ndihmuar. Kishin dështuar tentativat e Pollos për të bërë opozitë dhe ai, ashtu si sot, ishte në qeveri me qeveritarët e radhës, pra me socialistët. Berisha, sikur të mos mjaftonte kjo, më 28 nëntor 2000 provon për disa orë edhe zyrat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Më kujtohet se Koçoja këtë nuk e kapërdiu kurrë dhe menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai më kërkoi mua që të ndërmjetësoja për një takim të tijin me Berishën, i cili ishte tërësisht i izoluar dhe në zyrën e tij në PD më shumë nuk kishte drita, sesa kishte. Kështu, në një prej ditëve të nëntorit i telefonova Edës, sekretares së Berishës dhe i t
