E majta vs. e djathta, apo thjesht rotacion?
Henri Çili, si ekspert i komunikimit politik, synon të gjejë për çdo palë zgjedhje në Shqipëri një narrativë, një fabul, që përmbledh në pak fjalë thelbin e garës politike të rradhës. Deri në 1 prill, fabula e gjetur prej Çilit ishte ajo e Polit të Moderacionit, i cili do të ishte Davidi që gjunjëzon njërin nga Goliathët e Mëdhenj (Berishën ose Ramën) dhe asgjëson tjetrin. Poli i Moderacionit, që sipas Çilit do të kishte si bërthamë LSI-në, FRD-në dhe PBDNJ-në, me votat që do të mblidhte dhe me garancinë që kishte në numërimin e tyre për shkak të pasjes së 2 përfaqsuesve në KQZ e më poshtë, do të kushtëzonte pas zgjedhjeve Berishën ose Ramën për krijimin e një qeverie më pak autoritariste.
Me rënien e kësaj fabule, Çili ka gjetur një narrativë të re për zgjedhjet e 23 qershorit, të cilën e përmbledh në pyetjen: Një alternativë e djathtë qeverisëse me Sali Berishën në krye, apo një alternativë e majtë qeverisëse për Shqipërinë e 2013-ës me dyshen Rama-Meta në krye? Por a është vërtet kjo narrativa e këtyre zgjedhjeve?
Në thelb të kësaj narrative janë epitetet e majtë dhe e djathtë që u vihen alternativave qeverisëse që ballafaqohen. Dhe këto epitete përdoren shpesh në Shqipëri më tepër në kontekstin historik se sa në atë ideologjik. Por sidoqoftë, në të dyja këto rrafshe, nuk rezulton se gara e dy koalicioneve të mëdha është një garë mes të majtës dhe të djathtës, paçka se për konvencion, për lehtësi të shprehuri, shumica e shqiptarëve i etiketojnë kështu koalicionet.
Në rrafshin historik, të djathtë janë quajtur në Shqipëri njerëz nga familje të persekutuara apo të shpronësuara nga regjimi komunist, si dhe nga familje që në heshtje nuk pajtoheshin me atë regjim. Parë nga ky këndvështrim, në krye të koalicionit të djathtë është Berisha, që mund të klasifikohet si 22 karat i majtë, sepse ka qenë për 22 vjet një komunist i devotshëm, mik i bijve të diktatorit komunist Enver Hoxha, i cili ka persekutuar studentët e tij për shfaqjet të huaja borgjezo-revizioniste. Në koalicionin e djathtë përkrah liderit ish-komunist shndrit një tjetër yll komunist Kastriot Islami, ministër në kohën e diktatorit komunist Ramiz Alia, i cili kur ishte Kryetar i Kuvendit deklaroi se do tu thyente kafkat demokratëve. Gjithashtu përkrah Berishës është edhe Lefter Xhuveli, një tjetër komunist 22-karatësh me karrierë të lartë në regjimin e diktatorëve Hoxha e Alia. Për të mos vazhduar me xhaketat e kthyera të ditëve të fundit Kadeli e Dogjani, apo me Mehmet Elezin dhe me qindra ish-zyrtarët komunistë që janë pjesë e skalioneve të para të koalicionit të djathtë
Ndërsa koalicionin e majtë e udhëheq Rama, i cili, anipse me prejardhje nga një familje e nomenklaturës komuniste, ka qenë një anti-komunist par excellence që në rininë e hërshme, ashtu si edhe i djathi Spartak Ngjela, i cili vuajti 20 vjet në burgjet komuniste. Për të mos folur pastaj për Kurt Kolën, rrethi familjar i të cilit (duke përfshirë edhe atë vetë) ka regjistruar më shumë se 100 vjet në burgjet komuniste.
Në rrafshin ideologjik, deri para disa muajve dukej sikur do të kishte një garë mes një alternative të majtë e të djathtë qeverisëse, por Berisha po kopjon pothuaj çdo propozim të majtë të programit të PS-së dhe tani kufijtë ideologjikë mes ofertave të dy partive kryesore janë zbehur tej mase.
Kështu, PS-ja propozoi taksë progresive, Berisha futi në zbatim menjëherë një taksë progresive me dy shkallëzime (deri në 30 mijë lekë e mbi 30 mijë lekë të ardhura në muaj). PS-ja propozoi që shteti tu krijojë lehtësira fiskale fermerëve, Berisha me vrap mori vendime qeverie për tua krijuar ato. PS-ja premtoi 300 mijë vende pune të reja nëpërmjet ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, Berisha iu afrua këtij premtimi me shifrën 250 mijë (paçka se deri më sot ka deklaruar me kokëfortësi se Shqipëria ka vetëm 140 mijë të papunë). Dhe lista e kopjimeve të propozimeve të majta nga ana e të djathtit Berisha do të vazhdojë deri ditën e zgjedhjeve, për aq kohë sa mendon se ato mund ti sjellin vota për te penguar rotacionin e pushtetit…
Dhe me këtë frazën e fundit vijmë tek fabula e vërtetë e zgjedhjeve të 23 qershorit, jo ajo që sugjeron Çili. Dilema në 23 qershor është: A do ta lëmë të vazhdojë të qelbet edhe më ujin 8-vjeçar, i cili ka filluar të kutërbojë brenda e jashtë Shqipërisë, apo do ti japim shansin të qarkullojë, edhe pse e dimë që uji që po vjen nuk është dhe aq i distiluar (për të mos thënë më tepër)?
Shënim: Po të përdoret kriteri historik dhe ideologjik me rigorozitet, ndër katër subjektet elektorale në garën zyrtare të 23 qershorit, vetëm FRD-ja mund të klasifikohet si subjekt puro i djathtë Koalicioni APMI, Koalicioni ASHE dhe partia AK janë thjesht amalgama djathto-majtiste në të dyja rrafshet.
