E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Shqipëria i trembej pushtimit sovjetik

Si e perjetonte sipas shtypit perendimor Shqiperia nderhyrjen sovjetike ne Prage? Perse as prania e te gjithe keshilltareve dhe ndihma kineze ne ushtri nuk mund t’ia largonte dot friken...

Dy artikuj të mediave gjermanoperëndimore që vijnë nga periudha e viteve 1968-1972 e që kontribuojnë në thellimin e arkivës historike që kam sjellë për lexuesin gjatë botimit të pjesëve të ciklit “Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990”, na bëjnë të mendojmë se politika e shtetit monist, e cila vlerësohej gjerësisht si staliniste e izolacioniste, nuk na shfaqet gjithnjë një vijë e drejtë, por se njeh shpesh edhe përkulje, devijime, rikonceptime e rivlerësime, paçka se në thelb, këto ndryshime nuk sollën asnjë ndryshim të vërtetë në vetvete.

Ndërhyrja sovjetike në Pragë, nga gjermania “Der Spiegel” në vitin 1968, shihet si rifitim i pozitave dhe rimarrje e një bastioni që ishte drejt shkëputjes, dhe nga ana tjetër, si humbje përfundimtare e një aleati thuajse të humbur, apo le të themi më mirë, “në tentativë arratisje”, duke iu referuar Shqipërisë.

Kjo pasi edhe “de jure”, tashmë Shqipëria kishte vendosur të bënte divorcin përfundimtar me Traktatin e Varshavës, duke e anatemuar atë dhe aksionet e anëtarëve të saj, gjë e cila nga shumë pikëpamje përkonte edhe me qëndrimin e vendeve perëndimore.

Qartazi në artikullin e sipërcituar të “Der Spiegel”, por sidomos edhe në një tjetër të botuar në “Die Zeit”, në vitin 1972, shprehet edhe frika që fshihej pas toneve të ashpra të deklaratave të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, që betohej se shqiptarët do të ishin në gjendje të luftonin deri në fund për të mbrojtur vendin e tyre nga ndonjë ndërhyrje e ngjashme sovjetike, si ajo në ish-Çekosllovaki.

Një skanim i marrëdhënieve të shqiptarëve me fqinjët apo fuqitë madhore globale të cilat dikur i kishte pasur “vëllezër të mëdhenj” e aleatë primarë, si në shumë artikuj të tjerë që na ofron cikli në fjalë, haset rëndom edhe këtë radhë.

Ndërkohë, diktatori shqiptar Enver Hoxha, që sipas burimit të sipërpërmendur, kishte lidhje familjare me gjysmën e 62 anëtarëve të Komitetit Qendror, ia kishte dalë mbanë të gjente aleatë të rinj, po aq të fuqishëm.

Por përveç Traktatit të Varshavës, Shqipëria aty thuhet se u ndejti larg mbledhjeve të KNER-it ( Këshilli i Ndihmës Reciproke), pavarësisht se ashtu sikurse e dimë të gjithë, dhe ashtu sikurse do të konstatonte e njëjta revistë vite më vonë (në 1982), Shqipëria vijonte të përfitonte nga marrëveshjet me vendet e KNER-it, derisa ky i fundit pushoi së funksionuari në fillim të viteve ‘90.

Katër vite më vonë, gjermanoperëndimorët duket se kanë parandier shumëçka dhe mundohen të bëjnë prognoza shpresëdhënëse për Shqipërinë, të cilat duket se nuk kishin bazë reale për t’u zhvilluar.

Kështu, flitet për normalizim të pritshëm marrëdhëniesh me Perëndimin, e madje edhe me vetë SHBA-të, duke u nisur nga gjykimi se sovjetikët mund të kishin një plan për të ndërhyrë në Shqipëri dhe se shqiptarët në fund nuk do mbaheshin më fort në boshtin ideologjik, porse në radhë të parë do vihej pavarësia e vendit, për të cilën ata ndjeheshin krenarë, duke marrë referenca nga historia e tyre.

Po ashtu mësohet se në Tiranë, në atë kohë, sapo ishte themeluar - nën hijen e monumenteve të Stalinit, të cilat gjendeshin ngado në Shqipëri dhe që merret me mend se me mbështetjen morale e mbi të gjitha atë financiare të Partisë së Punës - një parti nga ato të ashtuquajturat “të vërteta marksiste-leniniste”, e cila mundohej t’i bënte kësisoj karshillëk asaj zyrtare komuniste polake, e cila shihej prej një stalinisti polak me emrin Mihajl (mbiemri nuk bëhet i ditur) si revizioniste.

Për më shumë, gjithsesi rrëfejnë vetë dy artikujt në origjinal të cilat unë i kam sjellë edhe në shqip:

* * *

Në Evropën Qendrore sovjetikët arritën të rifitojnë një aleat të kuq duke e futur sërish atë në vathë – në Mesdhè ata humbën përgjithnjë një tjetër: Shqipëria e Kuqe përdori si shkak marshimin e tankeve sovjetike mbi Pragë për të bërë me sukses ndarjen përfundimtare nga Pakti ushtarak i Varshavës, duke qenë kësisoj edhe vendi i vetëm që e ka bërë këtë akt deri më tani.

Pa pasur drojë e turp, kryeministri shqiptar, Memet Shehu, shau sa mundi të pushtuar e pushtues: Presidenti i Republikës Socialiste të Çekosllovakisë "Svoboda shkoi në Moskë dhe u puth me dashuri të madhe me xhelatët e popullit çekosllovak; Brezhnjevin, Kosiginin dhe Podgornin".

Pa u menduar gjatë, Shehu zbuloi edhe "strategjinë e imperializmit dhe fashizmit sovjetik" – dhe Kremlini, që përndryshe ishte i gatshëm për të ndërmarrë një aksion ndëshkimor të shpejtë, nuk ndëshkoi. Mes perandorisë sovjetike dhe „vendit të skpipëtarëve“ të Karl May-it – jo më i madh se sa landi i Hessen-it në Gjermani– ndodhet Jugosllavia. Shehu paralajmëroi në mënyrë demonstrative duke vënë në përdorim gjestikën se "i gjithë populli shqiptar, edhe fëmijët, do të luftonin për të mbrojtur atdheun". Pasi, "ne kemi miq besnikë – para së gjithash, popullin kinez", - deklaroi ai.

Në fakt, 700 milionë kinezët qëndrojnë pas më pak se dy milionë shqiptarëve – edhe pse i ndajnë 10 000 Kilometra. Mao vetë përshëndeti shqiptarët për daljen nga Pakti i Varshavës dhe u premtoi atyre mbështetje.

Shteti në brigjet e Adriatikut, rrallë ka pasur fqinjë miqësorë. “Kush do të donte të rrezikonte një luftë me Shqipërinë”, - pyeste dikur Kajzeri Gjerman, Vilhelm I “për kullotat e shkreta të dhive në Shkodër" para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Por Austria, Serbia dhe Italia donin.

Pas Luftës së Dytë, fqinjët jugosllavë të Shqipërisë donin ta provonin edhe një herë fatin e tyre: komunistët jugosllavë kishin cytur partizanët shqiptarë për të luftuar, porse synimet e tyre ishin ta gëlltisnin vendin malor në shtetin e tyre shumetnik. Stalini i mbështeste ata në ambicien e tyre.

Jugosllavia dërgoi këshilltarë, pagoi 57 për qind të buxhetit shqiptar dhe ia nisi të shtypte edhe deviza të përbashkëta. Gjeneral Shehu, kryeministri i mëvonshëm, iu desh të merrte arratinë, sepse kundërshtoi prezencën e dy divizioneve jugosllave në vend.

Prishja e Jugosllavisë me Stalinin shpëtoi në vitin 1948 edhe pavarësinë e Shqipërisë; por qysh prej atij momenti, shqiptarët ("bijtë e shqipeve siç e quajnë ata veten e tyre") rrethohen tashmë nga armiq të deklaruar, nga të cilët për më tepër, në rajonin me pakica të Jugosllavisë që e quajnë "Kosovo i Metohija", tonin e japin rreth tre të katërtat e popullsisë që janë shqiptarë.

Shqipëria kërkoi mbrojtje tek Stalini, armiku i Titos. Pasi ikën jugosllavët, sovjetikët dërguan këshilltarët e tyre dhe nisën të mbështesin shtetin shqiptar me një ndihmë që kap vlerën e rreth një miliardë markave. Për këtë, Bashkimi Sovjetik u shpërblye më vonë edhe me një bazë navale nëndetësesh në Vlorë.

Por kur Stalini vdiq dhe pasuesi i tij, Hrushov, në vitin 1955 festoi pajtimin me Jugosllavinë, shqiptarët u desh t’ia nisnin sërish kërkimit për një mik të fortë.

Shefi i partisë në Shqipëri, Enver Hoxha, diktator i stilit të Stalinit e që është njëkohësisht në lidhje familjare me gjysmën e 62 anëtarëve të Komitetit Qendror, e gjeti atë. Vëllai i ri aleat tashmë do ishte Kina e Mao Ce Dunit, e cila po ndahej nga sfera e ndikimit sovjetik.

Komunisti radikal Mao kritikonte ashpër dikur Jugosllavinë, ndërsa mendonte Moskën, për borgjezim të klasës politike; ndërsa Moska akuzonte Tiranën për radikalizëm, ndërsa aludonte qartazi për Kinën – derisa përplasja e të mëdhenjve nuk mund të fshihej më.

Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Moskën, u ndejti larg mbledhjeve të KNER-it dhe nuk u ftua më në takimet e Traktatit të Varshavës; katër nëndetëse sovjetike, të cilat nuk e morën në kohën e duhur kursin drejt vendlindjes, u mbajtën në vend peng nga “bijtë e shqipeve”.

Qysh prej asaj kohe shqiptarët marrin këshilltarë, ndihma financiare dhe ekonomike (në vlera që shkojnë më shumë se një miliardë marka) nga Kina e Kuqe – e bashkë me to edhe “bibla” të Maos. Pasi Pekini shfrytëzon satelitin e vetëm në Evropë si një bazë propagandistike: radio “Tirana” shpërndan nëpërmjet valëve të saj, citate nga Kryetari Mao në mbarë botën.

Mes xhamive dhe minareve në Tiranë qëndron edhe Stalini, i cili gjendet ngado. Nën mbrojtjen e tij në kryeqytetin shqiptar, edhe stalinisti polak, Mijal, themeloi një të ashtuquajtur "Partia Komuniste e Polonisë", për të minuar nga zemra e Ballkanit punën e Partisë Komuniste Polake të udhëhequr nga Gomulka, e cila quhet zyrtarisht "Partia e Bashkuar Punëtore". Stalinistët shqiptarë ndodhen në çdo kohë të gatshëm, t´u ndihmojnë kinezëve. Nëse maoistët në Pekin kanë nevojë për të përçuar një fjalë përshëndetëse për proletariatin evropian për shembull, minatorët shqiptarë e bëjnë këtë me postë.

Pasi shqiptarëve - në manovrat e tyre me më të fuqishmit - aleati aktual u duket më i pranueshmi në krahasim me të mëparshmit : pasi ai ndodhet shumë larg.

“Der Spiegel” 23.9.1968

Mos u habisni kur të lidhen marrëdhënie me SHBA-në dhe Britaninë

“Die Zeit”, 1972: Shqipëria po përjeton një valë ndryshimesh drastike

Ndryshimet drastike në politikat me botën e jashtme, atë të brendshme dhe atë ekonomike të Shqipërisë, nuk duhen interpretuar vetëm sikur ky është vendi i fundmë në kontinent që ka zbuluar tërheqjen nga shoqëria e konsumit. Një arsye e fortë më shumë, përpos veprimeve racionale - si dhe për një kohë të gjatë edhe të atyre irracionale - të Tiranës zyrtare, është edhe shtysa për pavarësi e një populli krenar, i cili pas pesëqind vitesh pushtimi otoman, gjeti më në fund shtetin dhe lirinë e vet. Me këtë duhet shpjeguar pikërisht ndoshta edhe kjo ndjeshmëri e lartë nacionale kaq sizmografike: e paharruar në kujtesë do të mbetet tentativa për puç e inskenuar nga Hrushovi në vitin 1960 në Tiranë; e akoma si një traumë përjetohet edhe ndërhyrja sovjetike në Çekosllovaki për udhëheqjen e saj partiake; duke bërë që as prezenca e të gjithë këshilltarëve kinezë në ushtri të mos ia largojë dot frikën shqiptarëve për një ndërhyrje të Flotës Detare Sovjetike në Mesdhe. Këto frikëra, gjatë kohëve të fundit janë përforcuar edhe më shumë nëpërmjet afrimit të fqinjit të tyre, Jugosllavi me Bashkimin Sovjetik.

Qysh prej javëve të shkuara qarkullonin njoftime të pakonfirmuara se mes ambasadave shqiptare dhe asaj amerikane në Beograd janë regjistruar takime informale. Të tjera thashetheme thonë se ka pasur takime sekrete në Vjenë.

Partnerët shqiptarë në bisedime kanë përgënjeshtruar çdo deklaratë që shkon në këtë drejtim: për sa i përket marrëdhënieve me SHBA-të, vijon të ketë prioritet politika e refuzimit të çdo lloj lidhjeje diplomatike. Gjithsesi, një kontakt i mundshëm mes Tiranës dhe Uashingtonit në terma afatgjatë, nuk do të duhej të surprizonte më njeri. Së fundmi, Shqipëria ka vendosur marrëdhënie diplomatike pas tridhjetë vjetësh gjendje formale lufte me Greqinë. E njëjta gjë pritet të bëhet me Japoninë dhe Britaninë e Madhe.

Republika Federale Gjermane për Tiranën zyrtare vlerësohet akoma si “lugat politik”, i cili farkëton një komplot me Moskën, në mënyrë që në Evropë të dominojë militarizmi dhe revizionizmi sovjetik. Qëndrimi kundrejt Bonit nuk ka gjasa të ndryshojë në terma relativisht afatgjatë, pas mbylljes së kapitullit të “marrëveshjeve themelore me Berlinin Lindor”. Pasi Boni është një siluetë e parapëlqyer e propagandës zyrtare shqiptare - që sheh gjithsesi me mosbesim shumë të thellë vetëm Moskën dhe jo gjermanoperëndimorët, të cilët shihen pozitivisht si partnerë tregtarë.

Gazeta “Die Zeit”, 17.11.1972

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›