Serbia duhet të njohë Kosovën për të hyrë në BE

“Serbia duhet te njohe Kosoven nese do te anetaresohet ne BE”, - citohet te kete thene ndihmessekretari i Ministrise se Jashtme Franceze per Evropen, Roland Galharague, ne bisede me zyrtare amerikane ne fillim te ketij viti
Sipas një telegrami të datës 22 shkurt 2010 të ambasadës amerikane në Paris, të botuar nga Wikileaks, ndihmëssekretari i Ministrisë së Jashtme Franceze për Evropën, Roland Galharague, në takime të ndara me ndihmëssekretarin për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare, Alexander Vershbow, dhe zëvendëssekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane, Spencer Boyer, ka kërkuar bashkëpunimin e qeverisë amerikane me BE-në për të dekurajuar serbët nga propozimi i një rezolute për Kosovën në Kombet e Bashkuara në fillim të vitit.
Zoti Galharague citohet të ketë thënë se ministri i Jashtëm serb Jeremiç "duket se beson që Serbia mund të fitojë për sa i përket Kosovës dhe të fitojë hyrjen në BE. Duhet t'i themi se kjo nuk është e vërtetë”.
Sipas shpjegimit në telegram, BE deri tani (shkurt 2010) ka mbajtur qëndrimin se çështja e Kosovës dhe anëtarësimi i Serbisë në BE nuk ishin të lidhura zyrtarisht.
"Nuk kishte kushtëzim formal”, - tha Galharague, duke shtuar se serbët tani e kuptojnë se për të qenë anëtar të BE-së ata duhet eventualisht të njohin Kosovën.
Për më tej, ka thënë Galharague, para se serbët të anëtarësohen në BE, ata do të duhet të zgjidhin çështjet kyçe me Kosovën në fushat e drejtësisë, policisë, doganave, transportit, bujqësisë, si dhe dallimet rreth emrave dhe terminologjisë.
Në telegramin e botuar nga Wikileaks thuhet se "mënyra më e mirë për Serbinë që të adresojë çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën është duke punuar me EULEX-in.
"Ndonëse në fund të fundit”, ka përsëritur zoti Galharague, "Serbia duhet të njohë Kosovën nëse dëshiron të anëtarësohet në BE”.