Kur Shqipëria u duk se po zbulonte Perëndimin

Dy artikuj te mediave gjermane ne fillimvitet ‘70 na sjellin ne vemendje nje fenomen te cilin shumekush asokohe e shihte si “hapje te Shqiperise drejt botes se jashtme”. Si i percillte per publikun dhe si i komentonte shtypi perendimor levizjet ne politiken e jashtme shqiptare, te cilat siç rezultuan me vone, ishin vetem iluzione qe nuk e paten jeten e gjate e qe nuk sollen realisht asgje te re per shumicen e shqiptareve
Dy artikuj të mediave gjermane në fillimvitet ‘70 na sjellin në vëmendje një fenomen të cilin Perëndimi asokohe e shihte si “hapje të Shqipërisë drejt botës së jashtme” dhe posaçërisht ndaj Evropës Perëndimore. Gazeta “Die Zeit”, e vitit 1972 (me titull Ping-pong në ilirisht) përcjell për publikun e vet, së pari organizimin e një kongresi me karakter akademik, të zhvilluar në Tiranë, për studimet ilirike, jehona e të cilit, me ç’kam konstatuar, është e gjallë për shumë studiues e qarqe akademike në lëmin e arkeologjisë, të historisë e atë të gjuhësisë, edhe sot e kësaj dite, brenda e jashtë vendit.
Sipas burimit në fjalë, kjo ndërmarrje pikësëpari ishte një “test hapjeje për Tiranën zyrtare”, duke anunçuar më tej në krye me gërma të mëdha, si nëntitull, se “Enver Hoxha priti në shtator 70 shkencëtarë nga 11 vende të botës”. Gjithashtu, artikulli i bën një raportim profesional të gjithë aktivitetit, atmosferës, problematikës që trajtoi, por edhe mesazhit që u përftua përtej nivelit akademik, duke e trajtuar atë pikësëpari në rrafshin apo domethënien e tij politike.
Kështu, diku në artikull, theksohet fakti: Të gjashtë ditët e konferencës mund të çelin për historinë e pasluftës së Shqipërisë, jo vetëm në aspektin shkencor, por edhe në atë të politikës së jashtme, një kapitull të ri.
Apo edhe: Për herë të parë që nga viti 1945, morën pjesë së bashku në një kongres të zhvilluar në Shqipëri, profesorë nga Republika Federale, nga Britania e Madhe dhe madje edhe nga Greqia - me të cilën Tirana vetëm para pak ditësh ka arritur t´i japë fund një gjendjeje lufte që zgjati për 30 vjet.
Po kështu, synimet e shkencëtarëve dhe të profesorëve shqiptarë për të dëshmuar një vijimësi në trashëgiminë ilire kundrejt shqiptarëve, jepen qartazi në artikull, duke artikuluar gjithashtu vlerësimin se shqiptarët janë përkrah grekëve, populli më i moçëm në Ballkan.
Gjithashtu, rikthimi apo rigjetja e rrënjëve evropiane të shqiptarëve dhe përpjekja e regjimit për të dalë nga izolimi - në mënyrën e vet - vihen re dukshëm në artikull, duke theksuar në këtë aspekt se ndryshe nga aleatët e tyre kinezë, shqiptarët kishin parapëlqyer “diplomacinë akademike” për të testuar se deri ku mund të shkonte bashkëpunimi i tyre me botën e jashtme. Se kur kishte nisur kjo politikë dhe çfarë synonte, janë gjithashtu referenca që i gjejmë në artikull.
Ndërkohë, një tjetër artikull, botuar vetëm një vit më vonë, në 1973, në revistën e njohur “Der Spiegel”, sjell sërish Shqipërinë në vëmendjen e Perëndimit, kësaj radhe duke u marrë me problemet e njehsimit të gjuhës shqipe dhe domethënien e tij politike. Posaçërisht trajtohet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Tiranë në vitin 1972 dhe shtrati në të cilin po aplikoheshin vendimet e tij, duke e parë atë në një këndvështrim historiko-politik e duke tentuar të gjejë arsyet që çuan në të, por edhe të identifikojë përpjekjet për arritjen e një gjuhe të njehsuar shqipe.
“Der Spiegel” tenton të hyjë më në thellësi të çështjes, duke bërë një vlerësim, i cili në fund të fundit përbën edhe sot e kësaj dite tharmin e debateve për rivlerësimin e gjuhës së njësuar shqipe apo për mënyrën se si u vendos mënjanimi i gegërishtes dhe forcimi i toskërishtes. Sipas artikullit në fjalë, ky konstatim përshkruhet në këtë mënyrë: “Hapi i parë drejt njësimit të shqipes ishte një akt dhune gjuhësore”. Qysh nga viti 1948, dialekti që flet udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare - i kreut më të moçëm komunist akoma në pushtet në Evropë… është edhe gjuhë zyrtare e Shqipërisë: toskërishtja. Gegërishtja, megjithëse dialekt që flitet nga shumica e shqiptarëve dhe që mbart traditën letrare më të pasur në vend, u vlerësua prej tyre si i kompromentuar politikisht, pasi liderë gegë nga radhët e borgjezisë bashkëpunuan me Musolinin dhe me Hitlerin.
Ishin këto arsyet (por edhe plot detaje të tjera interesante) që më çuan të botoja këtë ekstrakt nga arkivi i mediave të njohura gjermanoperëndimore të kohës, për të parë se si i përcillte për publikun dhe si i kuptonte Perëndimi lëvizjet në politikën e jashtme shqiptare, të cilat shpesh shiheshin në mënyrë të gabuar si sinjale hapjeje drejt Perëndimit, e që fatkeqësisht, siç do ta dëshmonte koha më vonë, nuk ishin veçse iluzione që nuk e patën jetën e gjatë, duke mos sjellë realisht asgjë të re për shumicën e shqiptarëve.
* * *
Enver Hoxha, shefi më i moshuar i një partie në botën komuniste, përgjatë 31 viteve të tij në pushtet, është shfaqur shumë rrallë përballë publikut të huaj. Por së fundmi, 64-vjeçari, gjatë një pritjeje zyrtare ka takuar njëherësh plot 70 shkencëtarë nga 11 vende të botës. Ishin pjesëmarrësit në “Kongresin e Studimeve Ilirike”, i cili përbën edhe mitingun e parë të madh ndërkombëtar qysh nga mbarimi i luftës. Para se - pjesërisht - të ftuarit ta linin Tiranën pas mbarimit të aktivitetit, duke udhëtuar me makinat e tyre private, ashtu pa u vënë re, anëtari i Komitetit Qendror të PPSH-së, profesor Aleks Buda, i përcolli ata me një fjalë lamtumire në latinisht.
Të gjashtë ditët e konferencës mund të çelin për historinë e pasluftës së Shqipërisë, jo vetëm në aspektin shkencor, por edhe në atë të politikës së jashtme, një kapitull të ri. Për herë të parë që nga viti 1945, morën pjesë së bashku në një kongres të zhvilluar në Shqipëri, profesorë nga Republika Federale, nga Britania e Madhe dhe madje edhe nga Greqia - me të cilën Tirana vetëm para pak ditësh ka arritur t’i japë fund një gjendjeje lufte që ka zgjatur për 30 vjet.
Duke ecur në gjurmët e “së shkuarës” ilirike, udhëheqja e popullit më të vjetër të Ballkanit sinjalizoi ndërrimin e pritshëm të kursit të “së tashmes” shqiptare. Në vend të diplomacisë së pingpongut, aleati i moçëm i Pekinit në Evropë preferon kontaktet akademike për të testuar politikën e vet të “kufijve të hapur”.
Kjo politikë nisi pa rënë në sy para thuajse tri vitesh; ndërkohë kolonia thuajse e zhytur në heshtje e ambasadave në Tiranë, ka rifituar sërish gjallëri. Shqipëria regjistron aktualisht marrëdhënie diplomatike me 55 vende; sidomos në dy vitet e fundit janë mbjellë lidhje me thuajse të gjitha vendet evropianoperëndimore.
Lirinë më të madhe të lëvizjes apo hapjen drejt botës së jashtme, udhëheqja shqiptare e demonstroi hapur në kongresin e sipërpërmendur për ilirët, si për të huajt, ashtu edhe për vetë shqiptarët. Asnjëherë më parë shtypi, radioja dhe TV i Shqipërisë nuk kishin paraqitur, të mbledhur së bashku, shkencëtarë nga Lindja e Perëndimi, duke i intervistuar. Pjesëmarrësit në Kongres mund të bridhnin në çdo cep të Tiranës të pambikëqyrur.
Ngaqë në këtë hapje të kujdesshme “mysafirë të paftuar” mund të sillnin ndikime të huaja, regjimi po ndërton një plan të ri “mbrojtjeje”, ku me të gjitha forcat ngrihet lart fryma kombëtare dhe shfaqet fort tradita. Me gjithë këtë funksion politik të ditës që mbart zhvillimi i kongresit mbi ilirët, shqiptarët nuk ndërmorën as më të voglën përpjekje për t´i detyruar shkencëtarët të shfaqnin apo mbronin pozicione dhe interpretime “të dëshirueshme”.
Asnjë referat nuk u la jashtë liste, të gjitha materialet u bënë gati në kohë të përkthyera në gjuhën frënge. Materialet e shkencëtarëve shqiptarë, e pikësëpari ato të arkeologëve, mund të shiheshin kësisoj në çdo forum shkencor evropian.
Synimi i kërkuesve shqiptarë, ishte që të grumbullonin edhe më shumë dëshmi mbi linjën e trashëgimisë mes ilirëve antikë dhe shqiptarëve të sotëm. Gjurmët e ilirëve, të paktën në Ballkan, mund të hasen qysh në shekullin e 8-të para Krishtit. Ashtu sikurse gjuha shqiptare, edhe ajo ilire, i përkasin të njëjtës rrënjë indogjermanike. Një numër emrash e toponimesh të përcjella nga ilirishtja janë të përafërta me shqipen në aspektin fonetik. E diskutueshme është, megjithatë, nëse trashëgimia kulturore ilire është “autoktone”, që do të thotë se ka lindur pikërisht në atë vend, apo është përcjellë nga kultura helene dhe nga pushtimi i mëvonshëm romak, të cilët krijuan aty një mbishtresim.
Shkencëtarët shqiptarë po rrënojnë për të gjetur gjurmët e një vazhdimësie të mundshme. Këtij populli të rrethuar e sulmuar vazhdimisht nga fqinj të mëdhenj, mund të mos i jetë dhënë vendi i duhur, nëse do t´u referoheshim përpjekjeve të tij për të gjetur trashëgiminë e vet historike me zell anakronik e nacionalist. Si gjithmonë, edhe historianët që duan ta kritikojnë këtë tezë, thonë se shqiptarët falë trashëgimisë së tyre të moçme kulturore, deri në shekullin e 15-të kishin akses në zhvillimet evropiane dhe vetëm nëpërmjet pushtimit osman u shtrënguan të rrëshqisnin drejt prapambetjes. Dhe ky ekskurs historik vërteton se Shqipëria gjithnjë e më shumë po rikthehet tek rrënjët e veta evropiane. Thënia se “Shqipëria është paradhoma kineze për në Evropë” nuk qëndron më. Tirana dhe Pekini kanë hequr dorë nga izolimi, por të dy kanë zgjedhur rrugë të ndryshme për ta bërë këtë. Gazeta “Die Zeit”, nr. 40 / 6.10.1972