Vendorët tanë

Vendorët tanë janë detashmenti më besnik që mund të sjellin njerëz nëpër rrugë për protesta. Një burim gati i pashtershëm. Madje dhe në kohë gati të pamundura me shira që bien rreke. Çdo kryetar bashkie i hipur në majë të tenderëve të tij ka të paktën 50-100 punonjës bashkie që mund të sjellë (sipas madhësisë së bashkisë) nëpër sheshe. Nëse punonjësi tregohet me zell dhe sjell edhe anëtarë të tjerë të familjes, apo miq e shokë, aq më mirë. Po për çfarë protestohet? Që bashkive (sidomos atyre të opozitës) po u pakësohen qëllimisht të ardhurat. Nëse shikohen shifrat, ato janë kokëfortë. Të ardhurat e pushtetit vendor janë po aty sa kanë qenë pesë vite më parë. Edhe pse këtij pushteti ndërkohë i janë deleguar kompetenca. Duke pasur parasysh rritjen vjetore të biznesit nëpër bashkitë përkatëse, këto të ardhura, edhe pa përmirësuar asgjë nga administrimi dhe vjelja e taksave vendore, duhej të ishin të paktën 10-12 për qind më shumë. Mirëpo mungesa e rritjes së arkëtimeve është zëvendësuar me dyfishimin e punonjësve të bashkive e komunave. Por a mund të themi se ky dyfishim punonjësish ka shkuar për dyfishimin e shërbimeve ndaj popullatës? Po të ishte kështu, hallall mosarkëtimi sa duhet i të ardhurave, hallall buka e qeverisë qendrore! Por për fat të keq, shërbimet ndaj qytetarit nga bashkitë tona nuk janë shtuar. Në të kundërt, investimet për banor nga ana e bashkive në katër vitet e fundit janë ulur. Nga 43 mijë lekë të vjetra për banor që bënin organet e pushtetit vendor në vitin 2005, në vitin 2009 kanë bërë vetëm 33mijë lekë te vjetra. Edhe pse paratë në formën e grandeve nga ana e pushtetit qendror, vetëm për vitin e kaluar janë shtuar me 140 miliardë lekë të vjetra, ose 100 milionë euro. Lind pyetja, për çfarë atëherë do të protestojnë bashkitë e komunat nëpër sheshet e Shqipërisë? Që kanë dyfishuar personelin e tyre(duke punësuar sojin dhe sorollopin e kryetarit përkatës, apo miqtë e vet), duke mos rritur shërbimet ndaj popullatës? Që nuk e kanë vrarë mendjen për të rritur administrimin e taksave vendore, por vetëm për të bërë politikë tenderësh vendore? Morali i këtyre protestave, për fat të keq, lë për të dëshiruar. Ai do të ishte i lartë, nëse ankesat do të kishin të bënin me mungesën e fondeve nga qeveria qendrore për të shtuar shërbimet ndaj popullatës, me diskriminimin e fondeve për shkak të përkatësisë politike të kryetarit vendor. Mirëpo asnjë fakt i tillë nuk shohim të renditet. Vetëm konsiderata në tërësi. Vendorët tanë që protestojnë duhet të na e mbushin mendjen se kanë bërë të gjitha përpjekjet për të shtuar arkëtimet bashkiake apo komunare, por qeveria qendrore ua ka marrë kompetencat dhe i ka lënë pa një dysh. Është mëse e vërtetë që gjatë një periudhë të gjatë nuk dëgjojmë më për lëvizje të forta decentralizuese. Që vëmendjen e ka thithur të gjithë konflikti kryesor i politikës për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Kuptohet që në këtë ngadalësim thellimi të decentralizimit ka fajet e veta edhe qeverisja qendrore. Por po aq e vërtetë është se nuk kemi parë asnjë ndërhyrje të fortë të bashkive apo komunave për të shtuar të ardhurat e tyre vendore, duke formalizuar ndjeshëm sipërmarrjen lokale. Bashkiakët dhe komunarët tanë na kanë mësuar me qarjet e tyre pa fund për fondet e cunguara qendrore që marrin, por asnjë herë me raste kontrollesh të forta e gjobash shembullore lokale ndaj sipërmarrjeve që punojnë në të zezë, apo atyre që abuzojnë me pagesën e taksave vendore. Nëse kryetarët vendorë do ta kishin mendjen më shumë në administrimin efikas fiskal e financiar të burimeve të tyre, gjendja nuk do të ishte kurrë kaq e dëshpërueshme në arkat e tyre publike. Se sa për xhepat privatë, nëndë në dhjetë kryetarë vendorë nuk dalin nga loja e kryesimit 4 vjeçar, pa një biznes të shumëfishuar të vetin apo të farefisit më të afërm. Prandaj dhe përfaqësuesve të tillë të pushtetit vendor u është e vështirë t’u besohet (e aq më pak t’u shkojmë pas nëpër rrugë), kur dalin me urdhër partiak për të protestuar.