Kur isha fëmijë doja të bëhesha si Parashqevi Simaku

Sopranoja Ermonela Jaho
Jeta e sopranos shqiptare, nga fëmijëria te fama.
Për të mbajtur veten kam punuar me të moshuar, në restorante dhe shkoja edhe në shkollë
Nga fëmijëria, kur ëndërronte të bëhej si Parashqevi Simaku, te skenat më të mëdha operistike botërore. Sopranoja shqiptare, e famshme tashmë në të gjithë botën, Ermonela Jaho, ka rrëfyer jetën e saj artistike në Opinion në TV Klan. Kur ishte hera e parë që pa një opera, çe shtyu drejt muzikës klasike, cilat kanë qenë rastësitë me fat, dueti me tenorin Saimir Pirgu në Royal Opera në Londër, marrëdhëniet me Inva Mulën e artistë të tjerë shqiptarë… të gjitha në një intervistë.
Vazhdoni pas 20 vitesh të keni të njëjtin pasion si atëherë kur donit që të bëheshit një këngëtare?
Absolutisht po. Është ai pasion dhe ai zjarr që mban atë ambicien e mirë që duhet të ketë një artist, që të vë vazhdimisht në kërkim të diçkaje të re. Nuk duhet të përsëritësh, pasi përsëritja është vdekja e artit.
Nuk ka pasur ndonjë moment ku përballë një valixheje të mbushur plot keni thënë u lodha, nuk dua të nisem sot?
Në fakt, e them gjithmonë dhe përsëri nisem sërish. Nisem sërish, pasi mendoj se po bëj diçka që më pëlqen dhe pasioni për të është rritur vazhdimisht bashkë me mua. Kjo është një ëndërr që rritet bashkë me Ermonelën.
Në moshën 14-vjeçare keni shkuar për herë të parë në operën e Tiranës, dhe ka qëlluar që opera e asaj dite të ishte Traviata. Siç e keni thënë edhe vetë, keni qarë. Si ka ndodhur vërtetë?
Është shumë e vërtetë. Dua ta nis pak më përpara: Njohja ime me muzikën ka qenë si për çdo shqiptar. Shpirti i shqiptarëve njihet përmes muzikës popullore, në rastin tim nëpërmjet muzikës polifonike të Shqipërisë së Jugut, pasi prindërit i kam nga Jugu. Gjithmonë kam pasur dëshirë të dëgjoj kushërinjtë e mi tek këndonin. Ata kanë marrë pjesë dhe në grupet polifonike të Gjirokastrës si amatorë. Unë nuk vij nga një familje muzikantësh, pasi babai im është ushtarak, ndërsa nëna filloi si arsimtare, pastaj me punë të ndryshme për të mbijetuar. Kjo ka qenë njohja ime e parë me muzikën popullore. Shpeshherë kam provuar të mbaj iso, po stonoja dhe tani më vjen zor ta them. Hapi tjetër ishte kur dëgjoja këngët në RTSH. Doja të isha pjesë e atij festivali, ishin dëshirat fëminore në atë kohë.
Kush ishte këngëtarja që ju impresiononte?
Parashqevi Simaku ishte këngëtarja që më pëlqente, si shumica e fëmijëve të asaj kohe. Doja të isha si ajo. Ndërkohë në moshën 5-vjeçare babai më regjistroi në Pallatin e Pionierëve, që ishte dhe një lloj institucioni shumë edukativ për fëmijët. Pasi aty nisnin hapat e para drejt teatrit, drejt skenës.
Por, nuk kishit asnjë lidhje me muzikën klasike?
Absolutisht. Doja të vazhdoja më tutje dhe bashkë me mua u rrit ambicia për të qenë pjesë e festivalit. Por, për të realizuar këtë duhej të regjistrohesha në lice në moshën 14-vjeçare. Në atë periudhë, për tu bërë pjesë e liceut duhej të përgatisje një pjesë nga muzika klasike dhe kjo gjë më detyroi të interesohesha pak më tepër dhe të merrja një lloj kulture në këtë zhanër të muzikës. Përgatitja e kësaj pjese ishte embrioni i këtij zhanri, nuk njihja më shumë se aq. Por, për të bërë gjërat më të sakta vendosa të shkoja dhe të shikoja një opera në Teatrin e Operës dhe Baletit, gjithmonë në kuadër të përgatitjes për të shkuar në lice. Nuk e kisha idenë se çfarë ishte Traviata, nuk e kisha idenë se çfarë ishte muzika klasike, pakëz dëgjoja muzikë simfonike në radio. Opera Traviata ishte botë tjetër, ishte fjalor tjetër. Pa e ditur fare se ku po futesha, fillon preludi. Tani që e kujtoj, duart i kam të ftohta. Ndjeva një emocion që nuk e prisja, sepse gjithmonë kisha shprehur dëshirë të shkoja drejt muzikës së lehtë. Te një fëmijë i ndrojtur si unë, diçka lëvizi, si një lloj dashurie në zgjimin e parë. Akti i parë më futi në një botë që nuk e kuptoja dhe deri sa arriti në aktin e fundit, ku ndodhi vdekja e Violetës, aty kam qarë dhe u preka jashtë mase dhe i thashë vëllait: Nuk do të vdes pa e kënduar njëherë Traviatën.
Si ishte koha e studimeve në Tiranë?
Mund të them se kam qenë shumë me fat që kam qenë pjesë e asaj disipline, gjë që do ti vijë për të qeshur brezit të sotshëm. Nuk kishim asnjë lloj komoditeti, kishim vetëm një piano që të jepte mundësinë të ushtroheshe deri në 30 min. Por, për të gjithë brezin tonë që donim të studionim, pasioni i mbyste pamundësitë. Ngrihesha në 5 të mëngjesit për të shkuar dhe për të parë se kush ishte i pari që i binte pianos, madje ndonjëherë hynim dhe nga dritarja.
Është e vërtetë që e keni kënduar Traviatën për herë të parë në moshën 17-vjeçare?
Kjo është e vërtetë. Në rastin tonë, studimi i kantos është rezistenca vokale, sepse nuk bëhet fjalë një instrument, violinë apo violonçel. Në rastin e këndimit duhet një përgatitje e fortë dhe kordat e këndimit duan një teknikë të fortë, që të bëjnë ty që të kesh rezistencë për të kënduar një opera për tre orë.
Cili ka qenë fati i shokëve dhe shoqeve të klasës suaj? Ata që studiuan bashkë me ju, patën një karrierë apo e braktisën, siç ndodhi me shumë artistë pas viteve 90?
Fatkeqësisht, disa prej tyre e braktisën nga ndryshimet radikale që ndodhën në atë periudhë në Shqipëri. Këto ndryshime zgjuan te ne atë ndjenjën e lirisë dhe ndoshta pasioni për muzikën që kishim u vu në provë. Një pjesë e mirë e tyre ikën, pasi panë që nuk ishte aq e lehtë që të çash me muzikën, ndërsa një pjesë prej atyre që mbaj kontakte kanë ndryshuar karrierën për të mbijetuar.
Keni pasur rastin të takoni ndonjë nga shokët tuaj nëpër turnetë që keni bërë?
Ka ndodhur, por jo nga shokët dhe shoqet e mia, por nga studentët që kanë qenë pas meje. Rasti i fundit ishte kur dhashë premierën në Vjenë. Ishte Saimir Pirgu, që erdhi të më ndiqte.
Ju keni kënduar së bashku me Saimirin edhe në Londër, e sipas shtypit britanik ishte hera e parë që dy shqiptarë luanin rolet kryesore në Traviata…
Është e vërtetë dhe ka qenë një arritje jashtëzakonisht e madhe. E para ishte një arritje profesionale, pasi është tempulli i muzikës klasike, ku kanë kënduar idhujt tanë të së kaluarës dhe jo kushdo mund të ngjitet në atë skenë. Nga ana tjetër, dy rolet kryesore, diva dhe partneri, ishin shqiptarë, gjë që nuk u përtyp dhe shumë mirë, pasi në atë periudhë në Londër lakoheshin shembujt negativë për shqiptarët, por në fund kritikat kanë qenë shumë pozitive dhe u prit mjaft mirë.
Përpara se të shkonit në Operën e Londrës apo të Vjenës, kapërcimi i madh drejt këtij tregu ndërkombëtar do të ndodhte në 93-shin, kur Katia Riçiarelli organizoi një audicion në Shqipëri. Si ia dolët?
Kjo gjë ndodhi rastësisht, pasi ishte hera e dytë që Riçiarelli bënte një konkurs dhe përzgjidhte studentë nga e gjithë bota. Rastësisht vajta dhe mora pjesë dhe nuk kisha shumë shpresë se do të fitoja, pasi merrnin pjesë edhe këngëtarë të TOB-it, ndërsa unë isha studente e vitit të parë. Fati, rastësia ishte që Riçiarelli më mori në grupin e saj, dhe ironia e fatit ishte se më mori si mexosoprano dhe ky ishte një gabim i vogël.
Është e vërtetë që kur do dilnit për herë të parë në skenë në Mantova nuk kishit as veshje dhe as këpucë?
Kanë qenë kujtime shumë të bukura. Është e vërtetë që unë ika me pasionin për të kënduar, por ai pasion do dhe një makinë mbrapa për ta mbështetur dhe në fakt ika pak si në ajër. Një natë para se të këndoja, Riçiarelli donte të na shikonte si jemi veshu