E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur kombi ia merr valles

Përgjatë tri ditëve, në skenën e këtij festivali do të ngjitet pjesa më e bukur shpirtërore e traditës sonë. Është hera e tretë që qyteti i Lushnjës bëhet kryeqyteti shqiptar i valles tradicionale. 300 pjesëmarrës do të garojnë në këtë aktivitet, i cili do të zgjasë tri net. Ata janë përzgjedhur nga specialistë të këtij zhanri folklorik, sipas të gjitha kritereve artistike. Këto kritere kanë për qëllim ruajtjen e traditës kulturore shpirtërore të kombit tonë, si brenda dhe jashtë hartës politike, po ashtu dhe transmetimin e saj brez pas brezi. Jo pa qëllim në kritere është sanksionuar që 30 për qind e interpretuesve duhet të jenë të rinj dhe të reja, të cilët do të jenë e ardhmja e folklorit tonë burimor. Në këtë ballafaqim artistik, do të paraqesin diversitetin dhe unitetin artistik me një performancë të admirueshme, jo vetëm grupet e 12 qarqeve, por edhe të grupeve të përzgjedhura nga trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Mbrëmë, në natën e parë, konkurruan grupet e Qarkut të Elbasanit me vallen belshake e librazhdjote, Beratit, Tiranës e Shkodrës.

Aktiviteti është programuar të jetë multikulturor dhe për këtë arsye sot do të bëhen vizita në Muzeun Etnografik dhe atë të Historik, Kongresi i Lushnjës, po ashtu do të hapet edhe Panairi i Librit Artistik pranë Qendrës Kulturore, Lushnjë. Sakaq, qarqet që do konkurrojnë sonte në natën e dytë janë: Durrësi, Kukësi, Lezha, Vlora, Korça, por edhe ansambli "Burimet e Sharrit" nga Tetova të shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk do të mungojnë edhe numrat përshëndetës, ku natën e dytë do të jetë një grup iso-polifonik nga shqiptarët e Greqisë.

Data 30 maj, e cila është edhe nata finale, do të nisi me promovimin e albumit "Veshjet popullore, Krujë", si dhe me një kokteil të shtruar nga kryetari i Bashkisë Lushnjë për nder të të gjithë pjesëmarrësve. Gara do të vazhdojë me grupet e qarqeve të Dibrës, Gjirokastrës, Fierit, grupit të Drumit-Tuz, si dhe do të përshëndesin festivalin ansambli "Malësori" i Gjonajt të Prizrenit dhe një grup arbëreshësh që vijnë nga Kalabria.

Vlen për t‘u përmendur fakti se në të tria netët para fillimit të festivalit grupet do të parakalojnë në bulevardin e qytetit të Lushnjës të veshur me kostumet e tyre tradicionale dhe duke luajtur me veglat e tyre, gjë e cila do të vlejë për të ngrohur atmosferën e këtij qyteti, por dhe për të shpalosur vlerat e kostumografisë së çdo treve. Gjithashtu, mbas përfundimit të garës grupet do të japin koncerte në Bashkinë Divjakë, komunat Fier-Shegan dhe Çermë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›