“Kur ndjenjat marrin zë”, sopranoja Ermonela Jaho hap sezonin e ri në TKOB

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, entuziazmoi mbrëmjen e 17 shtatorit publikun në kryeqytet me koncertin gala “Kur ndjenjat marrin zë”, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Para një salle të mbushur plot, Jaho u rikthye një vit pas koncertit të fundit, duke dhuruar një udhëtim të rrallë muzikor me interpretimin e saj të ndjerë.
Ky koncert, që shënoi edhe hapjen e sezonit të ri artistik të TKOB-it, erdhi nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati dhe me pjesëmarrjen e korit e orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe dirigjentit të korit Dritan Lumshi.
Programi i përzgjedhur, me sfida të reja për skenën shqiptare, solli emocione të fuqishme për publikun, që e ndoqi Jahon në çdo notë, buzëqeshje e lot të saj muzikor.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/