“Mësime falas” për investime në kriptomonedha, Policia apel qytetarëve: Kujdes, mos bini pre e mashtrimeve online

Policia e Shtetit, përmes një reagimi zyrtar, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e disa grupeve në “Viber” apo “Telegram”, të cilat me pretekstin e “mësimit falas” të mënyrës së përdorimit të kriptomonedhave, synojnë që t’i zhvasin ata.
Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë humbur para duke investuar në platforma si “Xuex”, “Txex” apo të tjera të ngjashme, të paraqiten për të denoncuar rastet në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe në sektorin për Hetimin e Krimit Kibernetik në çdo drejtori vendore të Policisë.
Denoncimet, thonë uniformat blu, janë thelbësore për dokumentimin e plotë të këtyre aktiviteteve dhe për mbrojtjen e qytetarëve të tjerë, që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të çdo forme tjetër mashtrimi online.
Pak ditë më parë, Policia realizoi operacionin në Fier.
Autoritetet po vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve dhe agjentëve që kanë organizuar skema mashtruese të firmave piramidale online. Gjithashtu, po vijon ndjekja dhe dokumentimi i lëvizjeve të kriptovalutave të përdorura në këto aktivitete kriminale.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/