E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur të ndjek një shoqëri e frustruar

TIRANE - Ngjarjet në këtë libër përfshijnë kohën e njërës prej periudhave më të dhimbshme të historisë gjermane atë të Luftës së Dytë Botërore. Që në titull kemi të bëjmë me një metaforë që do të na ndjekë në të gjithë novelën. Nëse një moment do humbasësh vëmendjen personazhi rrëfimtar do 'të ngatërrojë' sepse shpesh kalon nga veta e dytë në të tretë e anasjelltas, kur i duhet të përshkruajë personazhin kryesor të romanit. "Skandërbeg", botuesi i tij, si zakonisht, e ka sfidën me Nobelistët. Dhe, me një të tillë si Günter Grass, i është dashur shumë të matet. Fabula ndërtohet mbi mjedisin që rrethon një anije minakërkuese polake e mbytur dhe një grup fëmijësh që e kanë fatin e lidhur me të. Ata zhyten tek ajo dhe sfida mbetet sesi të gjejnë gjëra të mbetura nga kjo anije e mallkuar. Fabula është e zhdërvjedhët ndërsa në pak hapësirën që i mbetet ai na përshkruan indirekt kohën e luftës dhe strukturat e rinisë dhe fëmijëve hitlerianë. Ngjajnë pak a shumë si grupimet tona në kohën e socializmit të pionierëve dhe të rinjve. Është e njëjta disiplinë, e njëjta ndjenjë pedante, që i bën fëmijët ata që do ushqejnë kombin, t'i përgatisë si leva të një dogme. Personazhi kryesor i librit e përshkon këtë kohë relative, brenda korracës së rrëfyesit dhe të integruar me kohën e përbotshme të ngjarjeve të luftës, fillimisht disi i anashkaluar. S'di not dhe mendon si të mësojë dhe të administrojë këtë kohë. Nuk ka asgjë që të grishë bashkëmoshatarët e tij, por ka akoma në vetvete një botë që pak kush e ndjen. Këtë e administron rrëfyesi ynë me ndihmën e Grass. Pilenci rrëfimtar është "i çuditshëm" në duart e Grass. Në disa momente linja e romanit kalon në hapësira të tjera. Përshembull kur i kërkon shokëve të tij që të gjejnë si e kishte fytyrën dhe karakteristikat e saj shoku i tyre. Këtë episod e lidh në mënyrë shumë prozaike, përmes kujtimit të një shoku të tyre të shkollës që në atë kohë kish ardhur nga vendet Balltike. Narratori na ndihmon por shpesh duket se edhe atij "i largohet" personazhi ynë. Derisa të dy rriten dhe rrugët i ndajnë disi.
Megjithatë Malke sesi quhet personazhi dhe që është në vështrimin e të gjithë shoqërisë nuk mbaron. Ai përsoset atje ku askush s'ia del dot dhe është i veçantë në veçantësinë e tij. Ai vazhdon kërkimet e tij në anijen dhe nxjerr që andej të gjitha orenditë që një qenie mund ti shkonte ndërmend në atë kohë. Ndërsa, historia ngatërrohet e ngatërrohet, derisa molla e Adamit në fytin e Malkes bëhet njësoj si ndjenja e shoqërisë mace, që e ndjek atë kudo. Është kaq e re macja dhe Malke që në çdo rast kapet dhe e mban atë mollën e Adamit bash në qafën e Malkes, shkruhet në një review e huaja për të. Macja (shoqëri) kapet tek miu (Malke) që vuan jo pak.

Në shtjellën e novelës, Malke vjedh Kryqin e hekurt nga kapiteni i një anije që vjen të vizitojë shkollën dhe për këtë me të drejtën e kohës nga autoritetet përzihet nga shkolla. Ai e gjen një rrugë dalje sepse bashkohet me një divizion Panzer dhe fatmirësisht merr dhe vetë kryqin për shkak të asaj që tregon realisht në betejë. Megjithatë mallimi i mbetet. I takon, që kur vjen pas në qytet dhe sak në shkollën që e kanë përzënë, t'i japin mundësi që të flasë përpara nxënësve të shkollë, ku ka qenë dikur. Nuk ia japin mundësinë dhe më shumë se kaq i kujtojnë sjelljen e keqe të dikurshme.
Grass me mjeshtërinë e tij ka momente që këtë e bën dhe në një paragraf të vetëm duke e lënë të shushatur disi lexuesin e thjeshtë, i cili mund të kërkojë fajtorin te përkthyesi, ndoshta me atë ndjenjën e fajësimit që rrëfyesi ka ndaj kësaj figure që e adhuron dhe nga ana tjetër nuk mund ti afrohet sepse ai i qëndron larg. "Takimi na hutoi të dyve. Por takimi në një rruginë të leksur keqas, madje edhe nga sipër të një parku, të përçon edhe një mori të tërë ndjenjash, nga festive deri te ato rrëngjethëse. Dhe kështu fati, apo fantazia e ndonjë arkitekti francez kopshtesh, na e solli të takoheshim". Malke, i rikthehet anijes. Ka një dilemë të madhe sepse të gjithën këtë aventurë ushtrie e ka bërë që të kthehet në shkollë dhe tu mbajë bashkënxënësve të shkollës së tij një fjalim. Por teksa nuk e lënë për të, s'ka më kuptim lufta. Ai e lë luftën dhe dezerton por kjo do të thotë vdekje. Në një nga shtëpitë kanë ardhur dy civilë dhe e kërkojnë, ndërsa një moment të fundit Pilenz e lutet që të zhytet. Është rruga e fundit sepse ai nuk do ngjitet më. Larg të tjerave, ky libër i botuar në origjinal gati 50 vite më parë, është një mësim për ata që mund të shkruajnë për diktaturën dhe luftën në Shqipëri për t'iu shmangur bardhëezisë së frikshme...dhe prozaizmit të temave. Përkthyesi Afrim Koçi ka bërë një punë të mirë në një libër jashtëzakonisht të vështirë në përkthim. Detyrë që e ka kryer me lartësinë e përkthimeve të vështira, që i ka bërë shpesh.

(er.nu/Milosao/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›