Kurban Bajrami- Teologu Vladimir Kera shpjegon kuptimin dhe rëndësinë e festës

Në emisionin “Një Shqipëri” me autorin dhe drejtuesin Mentor Nazarko, teologu Vladimir Kera foli gjerësisht mbi festën e Kurban Bajramit, duke ndriçuar historinë dhe kuptimet e thella që ajo mbart.
Kera shpjegoi se festa ka origjinën në historinë e Profetit Abraham, i cili konsiderohet “babai i profetëve” nga traditat fetare të krishtera, hebraike dhe islame. Sipas tij, Zoti e vuri Abrahamin në provë për shkak të paganizmit që ekzistonte në atë kohë.
“Zoti i solli si vegim një ëndërr të vërtetë që duhej ta sprovonte me fëmijën e tij,” tregoi Kera. Kur Abrahami vendosi të zbatojë urdhërin e Zotit, Zoti ia ndërpreu veprimin, duke i thënë se ishte thjesht një sprovë. Kjo histori, sipas tij, është baza e traditës së therjes së kafshëve si kurban.
Teologu theksoi se Kurban Bajrami mbart tre kuptime të thella që janë ndarja e kurbanit në tre pjesë pasi kjo simbolizon ndarjen dhe shpërndarjen e mirësive, duke ndihmuar nevojtarët dhe duke forcuar lidhjet komunitare; flijimin e gjërave që pengojnë njeriun të mbetet njerëzor dhe kjo kuptohet si heqja dorë nga veset, dëshirat egoiste apo gjërat materiale që e largojnë njeriun nga humanizmi dhe vlerat shpirtërore, si dhe kuptimin që materia është në shërbim të njeriut dhe se kjo nënkupton se pasuritë dhe gjërat materiale nuk janë qëllim në vetvete, por mjete që duhet të përdoren për të mirën e njeriut dhe të komunitetit.
Shpjegimi i Keras ofron një perspektivë të pasur teologjike mbi këtë festë të rëndësishme, duke theksuar jo vetëm aspektin ritual, por edhe dimensionin shpirtëror, moral dhe social të saj.
/rtsh.al/