Kurban Bajrami, Kreu i KMSH-së, Spahiu: Dita e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit

TIRANË, 27 maj /ATSH/Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, që simbolizon sakrificën, përkushtimin dhe solidaritetin njerëzor.
Besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin. Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën Namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pas faljes së Namazit, kryetari i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, bashkimi dhe ndihme ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.
“Ju uroj gëzuar Kurban Bajramin. Ditën e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit, kjo festë simbolizon. Feja jonë islame na mëson të jemi pranë njerëzve në nevojë dhe të lëmë mënjanë gjërat e këqija, duke u orientuar te e mira dhe e bukura. Ta duam njëri-tjetrin për hatër të Zotit dhe të bëjmë punë të mira për shoqërinë, vendin tonë dhe rininë”, u shpreh Spahiu.
Kreu i KMSH-së theksoi se Kurban Bajrami mbart një mesazh të fortë reflektimi dhe afrimi mes njerëzve, duke nxitur largimin nga egoizmi dhe padrejtësia.
“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Ky është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.
Spahiu vuri theksin edhe te kujdesi ndaj familjeve në nevojë, të moshuarve dhe personave që përballen me vështirësi.
“Sot, kur familjet tona mblidhen rreth sofrës së Bajramit, të mos harrojmë ata që nuk kanë një sofër të plotë. Të mos harrojmë të moshuarit që presin një telefonatë, një trokitje dere apo një përqafim. Vlera e kësaj feste nuk matet me atë që kemi në tryezë, por me atë që kemi në zemër”, tha Spahiu.
Në mesazhin e tij, ai përcolli gjithashtu urime për paqe e mirësi në mbarë botën, si dhe një përshëndetje të veçantë për haxhinjtë shqiptarë që ndodhen në vendet e shenjta.
“Lusim Allahun që ta pranojë adhurimin, lutjet dhe kurbanet tona. Lusim Allahun të sjellë paqe në zemrat tona, në familjet tona dhe në mbarë botën. Një urim të veçantë ua përcjellim edhe të gjithë haxhinjve shqiptarë që ndodhen në Mekë dhe Medinë. Allahu ua pranoftë Haxhin dhe çdo adhurim të tyre”, përfundoi Spahiu.
/e.xh/a.f/